Vllaznia dhe Laçi kanë ndarë pikët në barazimin 0-0 në stadiumin “Loro Boriçi”, në sfidën e javës së 13-të në Superiore. Përballja mes ekipit të Çaba Laszlos dhe atij të Qatip Osmanit prodhoi raste të shumta dhe katër goditje në shtyllë e traversë, por pa gola.
Në pjesën e parë, Vllaznia rrezikoi me Bardhin dhe Muratajn, ndërsa në minutën e 33-të goditja me kokë e Fatbardh Latifit u ndal në shtyllë.
Laçi u kundërpërgjigj katër minuta më vonë me një gjuajtje nga distanca të Kurtit, e cila u devijua në traversë nga portieri Jukaj.
Në fillimin e pjesës së dytë, kurbinasit iu afruan sërish avantazhit pas një goditjeje këndi, por Gurishta largoi topin mbi vijën e portës. Shkodranët patën mundësitë e tyre me Qaton dhe me zëvendësuesin Ara, goditja e të cilit në minutën e 73-të u devijua në shtyllë nga portieri Biba.
Rasti i fundit i rrezikshëm i takoi Laçit në minutën e 82-të, kur goditja e Tolës nga jashtë zone u përplas në traversë dhe Gamarra gjuajti jashtë.
Pas këtij barazimi, Vllaznia mban vendin e shtatë me 16 pikë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e fundit me 12 pikë./mxh
