Aktorja italiane Monica Bellucci ka rrëfyer arsyet pse, pavarësisht suksesit ndërkombëtar dhe roleve në produksione të mëdha hollivudiane, nuk ka dëshiruar asnjëherë të zhvendoset për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Marrakech, më 27 nëntor, 62-vjeçarja foli për lidhjen e saj me Evropën dhe mënyrën se si ka zgjedhur të ndërtojë jetën mes Parisit dhe Romës.
Ndonëse shprehu vlerësimin për mundësitë që ofron Amerika, energjinë dhe industrinë e saj të filmit, Bellucci theksoi se identiteti i saj është thellësisht evropian.
“E pëlqej Amerikën. I dua të gjitha mundësitë, gjithë atë energji, mundësinë për të realizuar filma të mëdhenj, por edhe filma të pavarur. Më pëlqen të shkoj atje, por ndihem thellësisht evropiane. Jetoj mes Parisit dhe Romës dhe e dua këtë”, u shpreh aktorja.
Ajo pranoi se me kalimin e viteve ka kuptuar gjithnjë e më shumë rëndësinë e gjërave të thjeshta, përtej karrierës dhe suksesit profesional.
“Sa më shumë kalon koha, aq më shumë kuptoj se e adhuroj profesionin tim dhe se ende kam të njëjtin pasion. Por dua edhe gjërat e vërteta në jetën time. Dua të kem miqtë e mi, familjen time. Dua gjithashtu një jetë të përditshme, diçka që më mban të lidhur me realitetin. Më pëlqen kinemaja, por preferoj jetën”, tha ajo.
Gjatë festivalit, Bellucci u ndal edhe te disa prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së saj, nga interpretimi i Maria Magdalenës në filmin “The Passion of the Christ”, deri te roli i Lucia Sciarra-s përkrah Daniel Craig në filmin “Spectre”, në vitin 2015.
Pikërisht ky i fundit shënoi një moment të veçantë për aktoren, e cila në moshën 50-vjeçare u bë gruaja më e madhe në moshë që kishte interpretuar një personazh të lidhur romantikisht me James Bond.
“Spectre” e ndihmoi të përballonte kalimin në dekadën e të 50-ave, një periudhë që, siç pranoi ajo, nuk ishte e lehtë për një aktore.
Regjisori Sam Mendes e kishte bindur të bëhej pjesë e projektit duke i propozuar një rol të fortë dhe të pazakontë, të cilin e kishte cilësuar si surprizues dhe disi revolucionar.
“Unë isha 50 vjeçe dhe nuk kisha parë kurrë një grua të Bond-it në atë moshë. Mendoj se jam gruaja, zonja apo vajza më e madhe në moshë që ka pasur ndonjëherë James Bond”, kujtoi Bellucci.
Përpara saj, këtë rekord e mbante aktorja Honor Blackman, e cila ishte 39 vjeçe kur interpretoi përkrah Sean Connery në filmin “Goldfinger”, në vitin 1964.
Në të njëjtën bisedë, aktorja foli edhe për përfshirjen gjithnjë e më të madhe të grave në industrinë e filmit, duke vlerësuar praninë e regjisoreve, skenaristeve dhe profesionisteve të tjera në sheshxhirime.
Sipas saj, kjo sjell një mënyrë tjetër të të treguarit të historive dhe një këndvështrim të ri në kinematografi.
Bellucci vijon të jetë një nga emrat më të njohur të kinemasë evropiane, ndërsa roli i saj në “Beetlejuice Beetlejuice”, filmin e Tim Burton të vitit 2024, ishte një prej projekteve të saj më të fundit në kinemanë amerikane./mxh
