Last Updated on 28/11/2026 by Monika
Analisti Kreshnik Spahiu ka komentuar protestën kombëtare të zhvilluar ditën e sotme, Ditën e Pavarësisë.
Ish=drejtuesi i Aleancës KuqeZi, Spahiu, në një analizë gjatë një interviste, u shpreh se e drejta për të protestuar nuk vihet në diskutim dhe garantohet plotësisht në Shqipëri. Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se protestuesit kanë të drejtën të pengojnë lirinë e shqiptarëve, duke dëmtuar biznese private, institucione shtetërore dhe duke bllokuar qarkullimin e automjeteve apo kalimtarëve.
“Protesta e sotme nuk ndryshonte nga protestat e tjera përveç motit. Pyetja e parë që duhej diskutuar ishte për numrin e protestuesve.
Nga numri pastaj fillon një analizë e saktë, reale dhe e paanshme.”, tha Spahiu.
Analisti sqaroi se numri i pjesëmarrësve në protestën e 28 nëntorit është një element për të kuptuar ekzaktësisht se sa është forca që kërkon largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Spahiu theksoi, sa i takon pjesëmarrjes, se mund të kenë qenë të pranishëm në protestë diku te 10 mijë persona këtë të shtunë, por që, për analistin e mirënjohur, kjo shifër mbetet kur bëhen hesapet për largimin e qeverisë socialiste.
“Le të supozojmë se ishin 10 mijë persona. Me sa arrita të perceptoj nga mediat ishin 10 mijë persona.
Nga ana juridike e kushtetuese kanë të drejtë, por a kanë të drejtë 10 mijë protestues t’i heqin të drejtën 10 mln shqiptarëve për të festuar?
A ke të drejtë të pushtosh të gjitha rrugët e Tiranës për t’i hequr të drejtën pjesës tjetër që do të festojë?”, theksoi Spahiu.
Sipas Spahiut, pavarësisht trumpetimit të madh të opozitës nëpërmjet rrjeteve sociale dhe daljeve mediatike, sërish, në këndvështrimin e tij, këto hapa nuk mjaftuan për të mbledhur një zemërim aq të madh që të imponojë kërkesat e protestës karshi mazhorancës.
Për Spahiun, sigurisht që protesta e së shtunës ishte partiake, pasi në shesh u pa mbështetja e PD-së dhe partive të vogla, si ajo e Arlind Qorit apo Adriatik Lapajt, duke rrëzuar opinionin se protesta e sotme do të ishte e pangjyrosur politikisht.
“Nuk është protestë jo partiake kur janë 4-5 parti në shesh.
Është tërësisht politike dhe partiake. Sot në protestë nuk ishte një popull pa parti, apo protestues jo politikë, sot ishin pd-istë, ata të Arlind Qorit, Adriatik Lapajt e Agron Shehaj.”, deklaroi Spahiu.
Kritika Spahiu vërshoi dhe në keqpërdorimin e simboleve kombëtare nga të dyja palët, sipas tij. Vërejtje ai pati dhe për Policinë e Shtetit dhe për protestuesit paqësorë, të cilët keqmenaxhuan kontekstin e ditës dhe përdorën simbolet kuqezi në dobi të interesave të tyre, në një ditë kaq simbolike për kombin shqiptar.
“Duhej të fusnin disa elementë patriotikë e kombëtarë.
U mbushën me flamuj kuq e zi edhe protestuesit edhe policia.
Ishte një skenë shumë e tepërt për një ditë historike.
As të maskuarit e as policia nuk e meritonin që të përdornin simbolet kombëtare kur dihej që do ishte një protestë e dhunshme nga të dyja anët.”, shtoi Spahiu./Mxh
