Dy emigrantë kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë shpëtuar gjatë një sërë operacionesh në det pranë ishujve grekë të Kretës dhe Gavdos, ndërsa fluksi i kalimeve nga Afrika e Veriut drejt Greqisë vijon të rritet.
Sipas të dhënave të Rojës Bregdetare greke, të raportuara nga Associated Press, më shumë se 1,100 emigrantë kanë mbërritur në këta dy ishuj nga mëngjesi i së premtes deri të shtunën pasdite. Në një prej operacioneve të zhvilluara të shtunën, ekipet e shpëtimit gjetën dy persona pa ndjenja dhe nxorën në breg 41 të tjerë në një zonë shkëmbore të ishullit Gavdos, në jug të Kretës.
Në operacion morën pjesë edhe agjencia kufitare e Bashkimit Europian, Frontex, si dhe një anije private. Katër prej të mbijetuarve u transportuan drejt Kretës për të marrë ndihmë mjekësore. Shkaqet e vdekjes së dy emigrantëve nuk janë bërë ende të ditura.
Në një tjetër operacion, 102 emigrantë, mes tyre 16 gra dhe pesë të mitur, u transportuan në portin e Heraklionit, qyteti më i madh i Kretës.
Rruga detare nga Libia, gjithnjë e më e rrezikshme
Kreta dhe Gavdos janë kthyer në pika gjithnjë e më të rëndësishme hyrjeje në Bashkimin Europian për emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut, kryesisht nga brigjet lindore të Libisë.
Deri në fillim të nëntorit, më shumë se 23 mijë emigrantë kishin mbërritur në Kretë dhe ishujt përreth që nga fillimi i vitit, duke shtuar ndjeshëm presionin mbi qendrat e pritjes dhe strukturat lokale të menaxhimit të emigracionit.
Kalimet detare bëhen veçanërisht të rrezikshme gjatë muajve të dimrit, kur erërat e forta dhe dallgët e larta vënë në vështirësi mjetet lundruese, të cilat shpesh janë të mbipopulluara. Në fillim të këtij muaji, të paktën 22 emigrantë humbën jetën gjatë një tentative për të mbërritur në jug të Greqisë nga Libia.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka paralajmëruar se rritja e numrit të kalimeve në këtë itinerar ka nxjerrë në pah mangësitë në kapacitetet e kërkim-shpëtimit në det.
Mbërritjet e fundit regjistrohen në një kohë kur disa qeveri europiane po kërkojnë të ashpërsojnë politikat e emigracionit. Greqia është ndër pesë vendet europiane që mbështesin një propozim për krijimin në Ruandë të një qendre për kthimin e azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar. Nisma është kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut.
