Mijëra qytetarë dolën të shtunën në rrugët e Austrisë, Francës dhe Italisë për të protestuar kundër dhunës ndaj grave, në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara në të gjithë Evropën me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Protestat vijnë pas publikimit të një raporti të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit gjatë vitit 2025, në mbarë botën janë vrarë mesatarisht pesë gra dhe vajza çdo orë nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes. Shifrat tregojnë se femicidi mbetet një fenomen i përhapur, pa ndryshime të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Mijëra protestues në Romë, lëvizja feministe shënon 10-vjetorin
Në Itali, mijëra persona marshuan në qendër të Romës në një protestë kombëtare të organizuar nga lëvizja feministe “Non Una Di Meno” (Asnjë më pak). Nën sloganin “Kërkojmë një të ardhme”, protestues të moshave dhe gjinive të ndryshme mbanin shirita rozë, flamuj dhe pankarta kundër dhunës me bazë gjinore dhe mentalitetit patriarkal.
Disa prej tyre përplasnin çelësat për të tërhequr vëmendjen te fakti se një pjesë e madhe e dhunës ndaj grave ndodh brenda shtëpisë, ndërsa të tjerë kërkonin mbrojtjen e të drejtave të abortit.
Marshimi përkoi me 10-vjetorin e protestës së parë të madhe të kësaj lëvizjeje në Romë, në nëntor të vitit 2016. Aktivistët kërkuan më shumë investime në shërbimet sociale, shëndetësi dhe arsim, si dhe mbështetje më të madhe financiare për gratë që përpiqen të largohen nga marrëdhëniet abuzive.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Non Una Di Meno”, nga fillimi i vitit deri më 25 nëntor, në Itali janë regjistruar 76 viktima të femicidit, ndërsa 119 gra të tjera kanë qenë objekt i tentativave për femicid.
Protesta në më shumë se 30 qytete të Francës
Edhe në Francë, demonstratat u zhvilluan në mbi 30 qytete, përfshirë Parisin, Lionin, Marsejën dhe Lilën, ku u bashkuan organizata feministe, sindikata dhe grupe të ndryshme aktivistësh.
Në Paris, dy marshime të veçanta mblodhën së bashku rreth 12.500 pjesëmarrës, sipas të dhënave të policisë. Njëri prej tyre, i organizuar nga kolektivi feminist “Nous Toutes”, vuri në qendër të vëmendjes jo vetëm dhunën me bazë gjinore, por edhe racizmin, pabarazinë sociale dhe dhunën shtetërore.
Marshimi tjetër u përqendrua te kërkesa për miratimin e një kuadri të plotë ligjor për luftën kundër dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore ndaj grave dhe fëmijëve. Projektligji u miratua nga Asambleja Kombëtare franceze më 13 tetor dhe pritet të shqyrtohet nga Senati në janar.
Aktivistët kërkojnë mbrojtje më të mirë për viktimat, masa më efektive parandaluese dhe financim të mjaftueshëm për shërbimet e mbështetjes. Sipas të dhënave për vitin 2025, në Francë janë vrarë 111 gra nga partnerët aktualë ose të mëparshëm, ndërsa 333 të tjera kanë qenë viktima të tentativave për femicid.
Në Vjenë protestojnë qindra burra: Patriarkati vret
Në Austri, qindra burra u mblodhën përpara Parlamentit në Vjenë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Patriarkati vret” dhe “Të kthesh kokën nga ana tjetër të bën bashkëfajtor”.
“Nuk ka asnjë justifikim për dhunën”, deklaroi aktivisti Manfred Zeisberger përpara protestuesve.
“Ne burrat kemi heshtur për shumë kohë. Kjo heshtje duhet të marrë fund”, u shpreh Andreas Nevlacsil, përfaqësues i organizatës “White Ribbon Austria”, që organizoi protestën.
Kjo ishte protesta e dytë e këtij lloji e udhëhequr nga burrat në Austri gjatë këtij viti, pas një tubimi të ngjashëm në muajin mars.
Sipas të dhënave qeveritare, një në tre gra në Austri përjeton dhunë fizike ose seksuale të paktën një herë gjatë jetës së saj. Organizata “White Ribbon Austria” ka kërkuar më shumë investime në shërbimet e këshillimit për djemtë dhe burrat, si dhe masa më të ashpra ndaj individëve dhe platformave online që shpërndajnë përmbajtje që nxit dhunën.
Austria miratoi vitin e kaluar një plan pesëvjeçar veprimi, që përfshin fushata ndërgjegjësimi dhe masa të tjera për parandalimin e femicideve dhe formave të tjera të dhunës ndaj grave.
Ndërkohë, Shoqata e Strehëzave të Pavarura të Grave në Austri ka dokumentuar 20 raste të dyshuara femicidi që nga fillimi i këtij viti, krahasuar me 16 raste gjatë gjithë vitit 2025. Në mungesë të statistikave zyrtare të veçanta për femicidin, organizata i mbledh të dhënat përmes raportimeve mediatike, çka do të thotë se numri real mund të jetë edhe më i lartë.
