Fshati turistik i Dardhës në Korçë është zbardhur nga dëbora, e cila ka nisur të bjerë që prej mbrëmjes së djeshme. Reshjet kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar një panoramë të bukur dimërore dhe duke e kthyer këtë zonë në një destinacion tërheqës për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë dëborën dhe natyrën. Dardha mbetet një nga destinacionet më të preferuara dimërore në juglindje të vendit.
Dardha mbulohet nga dëbora/ Fshati turistik, gati për të pritur
Çdo vit, turistë të shumtë zgjedhin këtë fshat për të kaluar fundjavat dhe pushimet dimërore, kryesisht për dëborën, peizazhet piktoreske dhe atmosferën karakteristike që ofron. Përveç bukurive natyrore, vizitorët tërhiqen edhe nga gatimet tradicionale të zonës, të cilat janë kthyer në një tjetër element të rëndësishëm të turizmit në Dardhë.
Ushqimet tradicionale, mikpritja dhe ambientet e ngrohta të bujtinave e restoranteve e bëjnë këtë fshat një zgjedhje të preferuar për turistët vendas dhe të huaj. Në Dardhë, vizitorët kanë mundësi të shijojnë edhe aktivitetet dimërore, ndërsa skitë mbeten një nga atraksionet që e bëjnë këtë zonë edhe më tërheqëse gjatë sezonit të dëborës.
Dardha mbulohet nga dëbora/ Fshati turistik, gati për të pritur
Pavarësisht reshjeve, deri më tani nuk raportohen problematika në qarkullimin rrugor. Fshati turistik është gati për të pritur vizitorët, ndërsa dëbora e rënë pritet të shtojë interesin për këtë destinacion, i cili çdo dimër kthehet në një nga pikat më të frekuentuara të turizmit në juglindje të Shqipërisë./mxh
