Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici ka reaguar pas sulmit të djeshëm të kësaj godine historike nga protestuesit.
Qirici është shprehur se gjatë dhunës së djeshme nga ana e protesuesve ajo bashkë me stafin ndodheshin brenda në teatër të ngujuar nga tymi gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit.
Drejtoresha thekson se disa prej personave që ndodheshin brenda teatrit në ato momente u asfiksuan por qëndruan aty derisa çmenduria mbaroi.
Qirici u ka bërë thirrje protestuesve të mos e prekin teatrin pasi shkatërrimi sjell shkatërrim dhe zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje.
“Teatri kombëtar i Kukullave, ish-Parlamenti i parë Shqiptar është godinë historike, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ruhet nga shteti shqiptar. Sipas dokumentave zyrtare rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1924. Në vitet ’60 e në vijim ka filluar funksionin si teatër kukullash për fëmijë.
Godina ka pësuar ndërtime e rindërtime, pas goditjeve të tërmetit dhe ezaurimeve të kohës, lagështirës e fatkeqësive natyrore. Po asnjëherë më parë teatri nuk është dëmtuar nga dora e njeriut. Protagonistë të kohës, aktorë e punonjës të teatrit kombëtar të kukullave vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” rrëfejnë se as në trazirat e ’97-ës teatri nuk është prekur një fije. Aktorët e kanë gdhirë duke mos lejuar askënd të hyjë.
Pas restaurimit final dhe rijetëzimit në dhjetor 2024, me fonde të BE-së, në kuadër të programit EU4Culture dhe me zbatues UNOPS, teatri u rikthehet fëmijëve me kushte moderne dhe kapacitet të ri krijues e prodhues.
Jemi kujdesur si staf që të mos ngulet asnjë gozhdë dhe mos dëmtohet asnjë centimetër mur, pavarësisht se shfaqjet e sotme kanë kërkesa teknologjie e logjistika të reja. Ne e ruajmë teatrin si shtëpinë tonë.
Dje, historia u përsërit! Bashkë me stafin keni qenë brenda në teatër të ngujuar nga tymi, gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit. Disa prej nesh u asfiksuan, por nuk luajtëm nga teatri, derisa mbaroi çmenduria e radhës.
Sot e çdo ditë, do jemi sërish aty, për të riparuar çdo dëm dhe për të rikthyer shfaqjet dhe jetën e vogëlushëve tanë në normalitet.
U bëjmë thirrje gjithë protestuesve: Ju lutem mos e prekni teatrin! Na takon neve si qytetarë shqiptarë ta mbrojmë dhe ta duam: shkatërrimi sjell shkatërrim!
Zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje.
“Mos e prekni teatrin, është parlamenti i parë shqiptar” – ishte thirrja e një djali veshur me flamur, i vetmi mes protestuesve që dje foli në emrin tonë. Faleminderit, kushdo të jesh! U dëgjoftë zëri yt dhe le të shpresojmë që kjo të jetë e fundit”, shkruan Qirici./Mxh
