DJ Gimbo ka ndarë disa detaje nga jeta e tij personale dhe lidhja e veçantë që ka me traditat shqiptare, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.
I ftuar në studio, ai u prit me një surprizë për moderatoret, të cilave u dhuroi trëndafila, duke zgjedhur një të kuq për Selinën dhe të bardhë për pjesën tjetër të panelit.
Biseda u përqendrua më pas te identiteti kombëtar, traditat dhe raporti i tij me atdheun. DJ Gimbo tregoi se është rritur me dashurinë për vendin dhe kulturën shqiptare, ndërsa plisin e cilësoi si një simbol që vazhdon të përfaqësojë dhe identifikojë shqiptarët.
Ai zbuloi gjithashtu se ka gati një këngë të dedikuar 28 Nëntorit, të cilën e ka realizuar rreth katër vite më parë, por deri më tani nuk ka pasur guximin ta publikojë. Sipas tij, kjo është koha e duhur që projekti të dalë për publikun.
Një tjetër moment interesant ishte diskutimi për martesën e tij, duke qenë se DJ Gimbo vjen nga Kosova, ndërsa partnerja e tij nga Shqipëria, me origjinë çame.
Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë gjithmonë një komb, pavarësisht kufijve që i ndajnë, ndërsa me humor foli edhe për vendimin e tij për t’u martuar në Shqipëri.
Sipas traditës, zakonisht nusja zhvendoset në vendin ku jeton bashkëshorti, por në rastin e tij ndodhi e kundërta. Kjo nuk e ka shqetësuar aspak, përkundrazi, DJ Gimbo e konsideron një zgjedhje shumë të bukur dhe u dha edhe një këshillë shqiptarëve të Kosovës që mendojnë të martohen në Shqipëri.
“Martohuni në Shqipëri se ka bereqet këtu”, u shpreh ai, duke e shoqëruar deklaratën me humor./mxh
