Rrugëtimi drejt suksesit nuk ka qenë aspak i lehtë për DJ Gimbos. I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, artisti ka folur hapur për sfidat dhe sakrificat që i është dashur të përballojë për të ndërtuar karrierën e tij.
Gjatë bisedës me moderatoret, ai tregoi se në këtë rrugëtim nuk ka pasur thuajse asnjë ndihmë financiare dhe se mbështetja morale ka qenë gjithashtu e kufizuar. Megjithatë, këto vështirësi nuk e kanë bërë të heqë dorë nga ajo që dëshironte të arrinte.
I pyetur se ku e ka gjetur forcën për të vazhduar, DJ Gimbo dha një përgjigje emocionuese, duke treguar se kanë qenë pikërisht lotët dhe momentet e vështira ato që e kanë shtyrë të ecë përpara.
Ai ndau edhe një mesazh për të rinjtë që kanë një ëndërr për të realizuar, duke i nxitur të mos lejojnë askënd t’i pengojë në rrugën drejt qëllimeve të tyre.
Por momenti më emocionues i rrëfimit ishte kur zbuloi se kur e kuptoi se përpjekjet e tij kishin dhënë rezultat. Për artistin, suksesi mori kuptimin e vërtetë kur pa nënën e tij të lumtur dhe krenare për arritjet e të birit.
“Kur e pashë nënën time që po qeshte. E pashë që ajo ishte krenare me çfarë bëja unë. Aty e pashë që ia kisha arritur”, tregoi ai./mxh
