Last Updated on 29/11/2026 by EL
Tabloja historike “Shpallja e Pavarësisë” e realizuar nga piktori i njohur shqiptar Qamil Prizreni
Qamil Prizreni portretizoi me mjeshtëri momentin historik kur Ismail Qemali nënshkroi deklaratën e shkruar nga Luigj Gurakuqi, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 pas më shumë se pesë shekujve të pushtuar nga turqit.
Pas Ismail Qemalit në mur qëndron portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa flamuri kuq e zi pranë tij, janë simbol i bashkimit dhe vizion i qartë i baballarëve të kombit.
Rreth tavolinës ndodhen anëtarët e Kuvendit të Vlorës – delegatë që përfaqësojnë të gjitha rajonet shqipfolëse, përfshirë figura të shquara si Dom Nikollë Kaçorri (në këmbë në të majtë të Ismail Qemalit) dhe Luigj Gurakuqi (ulur në të djathtë).
Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, pjesëmarrësit (83 delegatë) përfaqësonin të gjitha trevat shqiptare (përfshirë Kosovën, Çamërinë, trevat në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi të sotëm), si dhe vise të tjera shqiptare. Për shkak të rrethanave të vështira të Luftës së Parë Ballkanike dhe vonesave në udhëtim (Isa Boletini mbërriti pasi u ngrit flamuri), në çastin e nënshkrimit ishin të pranishëm 40 delegatë.
Menjëherë pas nënshkrimit të pavarësisë, Ismail Qemali doli në ballkonin e ndërtesës për të ngritur flamurin shqiptar para turmës së mbledhur. Kuvendi më pas formoi qeverinë e parë të pavarur shqiptare, me Ismail Qemalin që u emërua Kryeministër.
Qamil Prizreni (lindur në Tiranë më 27 qershor 1938) konsiderohet një nga piktorët, akuarelistët dhe grafistët më të shquar të artit pamor shqiptar. Ai njihet për kompozimet e tij monumentale me frymë të thellë kombëtare, duke trajtuar ngjarje kyçe të historisë së vendin tonë.
“Shpallja e Pavarësisë, e cila ndodhet në fondin e Muzeut Historik Kombëtar), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” dhe “Skënderbeu në Romë” janë disa nga veprat e tij më të njohura me tematikë historike.
