Last Updated on 10/12/2025 by EL
Historiani dhe egjiptologu Tito Vivas u shfaq së fundmi në podkastin e Jordi Wild, ku gjatë bisedës u prek edhe tema e Arkës së Noeut. I pyetur nga YouTuber-i për atë çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo rreth historisë biblike, Vivas përmendi zbulimin e pretenduar në Turqi, në një zonë të lidhur prej dekadash me legjendën e anijes.
Ai iu referua formacionit shkëmbor të njohur si Durupınar, ku prej kohësh janë kryer gërmime. Sipas tij, analizat e bëra aty kanë treguar se struktura përmban fragmente që “duken si dru i fosilizuar”, gjë që për të përforcon idenë se aty mund të ketë pushuar Arka pas Përmbytjes së Madhe. Ai theksoi se forma dhe përmasat e objektit përputhen me përshkrimet e dhëna në librin e Zanafillës.
Megjithatë, polemikat rreth Durupınarit nuk janë të reja. Që nga identifikimi i vendit në vitin 1959 falë fotografive ajrore të ushtrisë turke – e sidomos pas popullarizimit në vitet ’60 – ai ka qenë objekt debatesh të vazhdueshme mes mbështetësve dhe skeptikëve.
Shumica e komunitetit shkencor mbetet e rezervuar. Gjeologë dhe arkeologë që kanë studiuar formacionin kanë arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një strukturë krejt natyrore, të formuar nga rrjedhjet e tokës dhe sedimentet vullkanike, jo për një anije të ngurtësuar. Një studim i vitit 1996 hodhi poshtë idenë e ekzistencës së “spirancave metalike” me origjinë njerëzore, duke i identifikuar ato si minerale vullkanike, ndërsa “druri i fosilizuar” rezultoi të ishte një lloj guri metamorfozik, tipik për terrenin.
Megjithë kundërshtimet, debati vazhdon. Në një deklaratë të vitit 2025, projekti Noah’s Ark Scans njoftoi se analizat e reja gjeofizike kanë zbuluar struktura të brendshme që ngjajnë me korridore, nivele të ngjashme me kuvertat e anijeve, si dhe shtresa me përmbajtje të lartë organike e fosile detare – elemente që, sipas ekipit, mund të sugjerojnë se zona ka qenë e mbuluar nga uji në të kaluarën.
Megjithatë, shumë ekspertë theksojnë se kalimi i mijëra viteve dhe proceset gjeologjike e bëjnë tepër të pamundur që një anije prej druri, nëse do të kishte ekzistuar vërtet, të ruhej deri sot. Sipas tyre, ajo që duket në Durupınar nuk është gjë tjetër veçse një formacion natyror që i ngjan një varke – një rast tipik i pareidolisë gjeologjike, jo një zbulim arkeologjik./E.T
