Sirena alarmi ajror u aktivizuan sot në kryeqytetin e Lituanisë, pas një incidenti të lidhur me një dron të dyshuar, duke i shtyrë autoritetet t’u kërkojnë banorëve të strehohen si masë paraprake.
Mediet lokale raportuan se drejtues të qeverisë u dërguan në strehime të sigurta.
Hapësira ajrore mbi aeroportin e Vilniusit u mbyll përkohësisht, ndërsa shërbimet hekurudhore u pezulluan.
Rreth gjysmë ore më vonë autoritetet shpallën fundin e alarmit dhe rikthimin e situatës në normalitet.
“Ky incident është i ngjashëm me ato që janë përjetuar ditët e fundit në Latvia dhe Estonia”, deklaroi ushtria lituaneze.
“Paralajmërimi i popullsisë është një masë standarde parandaluese”, shtoi ajo.
Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, Vilmantas Vitkauskas, një dron ishte vërejtur mbi zonën e Vilniusit.
Banorët e kryeqytetit morën një njoftim urgjent për shkak të trajektores së fluturimit të objektit.
”Më vonë objekti u zhduk nga radarët dhe vendndodhja e tij mbetet e panjohur”, tha Vitkauskas.
Më herët, forcat e armatosura kishin paralajmëruar publikun për një kërcënim të mundshëm nga një dron në pjesën lindore të vendit.
Sipas raportimeve, objekti fluturues u vu re pranë kufirit duke hyrë në drejtim të Lituanisë nga Bjellorusia.
Avionët luftarakë të NATO u ngritën menjëherë në fluturim, por nuk arritën ta lokalizonin objektin, bëri të ditur ushtria.
Lituania, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë dhe ka përjetuar disa incidente të ngjashme me dronë që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Vilniusi ndodhet vetëm rreth 30 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë./mxh
