Edi Rama aktualisht po përdor të gjithë platformat e mundshme të komunikimit për të bindur se nuk ka pasur asnjë ndikim në pezullimin nga detyra të zëvendës së tij, Belinda Balluku.
Kryeministri sot deklaroi se “Qëndrimi i Komisionit të Venecias është në fakt shumë i prerë. Gjykatat NUK duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, sepse duke bërë këtë: Së pari, cënojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit dhe Kryeministrit, nëse gjykata e pezullon, ajo praktikisht:
ndërhyn në punën e qeverisë,
ndërron përbërjen e ekzekutivit,
merr kompetenca që i takojnë Kryeministrit dhe Presidentit.
Dhe kjo konsiderohet nga Venecia shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve”.
Portali “Boldnews” kreu një verifikim mbi ppinionet ndër vite të Komisionit të Venecias, nga ku rezultoi se nuk ka asnjë raport apo qëndrim që citon kryeministri Rama. Për më tepër, rezultoi se qëndrimi i deklaruar nga Rama nuk është aspak i “Venecias”, por i aplikacionit “ChatGPT”.
Duket sikur ajo që Rama ia atribuon Komisionit të Venecias, në fakt është një lloj sinteze e “ChatGPT”.
Aplikacioni, ndryshe nga Rama, në përmbledhjen e tij për këtë temë, është më i saktë dhe më konkret. “ChatGPT”, në bazë të informacionit që përpunon, arrin në përfundimin se: “Nuk ekziston një Opinion publik dhe zyrtar i Komisionit të Venecias që vlerëson apo lejon,- si rregull- pezullimin e ministrave nga detyra”.
Sigurisht, mbetet thjesht spekulim, sepse nuk e dimë nëse kryeministri është konsultuar me Chat GPT. m.p.
