Kush është ai kafshë e guximshme e fermës mbi trapezin fluturues? Banorët e Mossy Bottom janë sjellë në skenë nga yjet “e mprehtë” të cirkut Circa – por qethja burleske u desh të hiqej
Lyndsey Winship
“Është një dramë familjare,” thotë Yaron Lifschitz. “Në njëfarë mënyre, një version lehtësisht komik, në tonalitet të ulët, i trilogjisë së Orestesë. Pa copëtimet, vrasjet dhe qilimat vjollcë.” Lifschitz po flet për prodhimin e tij më të fundit për Circa, grupin e vlerësuar australian të cirkut bashkëkohor. A është një epikë greke? Një dramë për gjendjen e kombit? Një udhëtim emocional i fortë? Jo, asnjëra. Është një shfaqje cirku argëtuese për familje, e bazuar te personazhi i famshëm vizatimor, Shaun the Sheep.
Ndoshta nuk të shkon mendja që aventurat e një kopeje kafshësh fermë me tipare njerëzore të krahasohen me Eskilin, por Lifschitz sheh personazhe të lidhur si familje, me personalitete të ndryshme, miq e armiq, që duhet të gjejnë mënyrën se si të jetojnë bashkë. Shaun the Sheep ka qenë një sukses i madh që nga shfaqja e parë e personazhit në Wallace & Gromit: A Close Shave në vitin 1995. Seriali me animacion “stop-motion”, i nisur më 2007, është transmetuar në mbi 50 vende dhe ka pasur disa produkte anësore, përfshirë dy filma artistikë dhe një tjetër në përgatitje.
Megjithatë, një vizatimor për fëmijë nuk duket temë e natyrshme për Circa-n, të cilët në 20 vitet e fundit janë bërë të njohur për shfaqje shumë të rafinuara, atmosferike, me një estetikë “të zhveshur dhe të guximshme”, siç e përshkruan vetë Lifschitz. Ata realizojnë akrobaci mahnitëse me ndjeshmëri koreografike elegante – për shembull, në festivalin e Edinburgut këtë vit, interpretuan në operën Orfeu dhe Euridika të Gluck-ut, duke marrë vlerësime të shumta.
Por kur drejtori artistik Lifschitz dëgjoi për mundësinë e bashkëpunimit me krijuesit e Shaun the Sheep, Aardman Animations, diçka iu duk e natyrshme. “E kuptuam se kishim të njëjtën frymë,” thotë ai, gjatë një videothirrjeje nga Australia. “Jemi njerëz pak majtas qendrës. Ata janë nga Bristol, ne nga Brisbane, dhe të dy kemi një lloj çuditshmërie të përbashkët.” “Ata ishin një kompani e vogël që mundi – dhe ia doli. Edhe ne jemi një kompani e vogël që mundi – dhe ia doli.”
Lifschitz ka krijuar edhe më parë shfaqje për fëmijë, një publik që, sipas tij, shpesh nuk trajtohet si duhet. “Mendoj se shumë teatër për fëmijë, sinqerisht, është goxha i dobët,” thotë ai. “Ka një fjongo mbi të; tregon histori të bukura që mbarojnë për mrekulli dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë botën reale.” Nuk do të gjeni shumë tragjedi te Shaun the Sheep, por Lifschitz e adhuron shpotinë dhe anarkinë e tij, kopenë plot karakter të fermës Mossy Bottom, qenin bari Bitzer dhe bandën antagoniste të derrave, që hyjnë në lloj-lloj aventurash, duke ia hedhur gjithmonë fermerit. “Në disa aspekte, nuk është shumë ndryshe nga Kafka: absurditeti dhe rregullat e të jetuarit në shoqëri,” thotë ai.
Kushdo që e ka parë vizatimin e di se aty ka shumë humor fizik: delet që ngjiten mbi shpatullat e njëra-tjetrës, tentativa për arratisje të guximshme, hedhje me katapultë mbi gardhe e të tjera marifete. Pra, kishte plot material për t’u shfrytëzuar. Lifschitz dhe ekipi i tij u zhytën thellë në serialin e animuar. Ai më tregon një tabelë me të gjitha episodet e listuara – qindra – dhe shënime për batuta e situata të mira. Këtë e kanë shndërruar në një shfaqje të plotë: gjysma e parë si një seri episodike, gjysma e dytë si një performancë cirku më e plotë. Përdoren disa klipe nga seriali televiziv, krahas numrave mbresëlënës të rrotullimeve, xhonglimit dhe akrobacive ajrore. Në shfaqjen 80-minutëshe, atmosfera është pak më ëndërrimtare se një episod shtatëminutësh, por batutat nuk mungojnë.
Krijimi i kësaj shfaqjeje ishte hera e parë që Circa u përball me licencimin dhe të drejtat e pronësisë intelektuale të një marke kaq të njohur, me të gjitha specifikat që kjo sjell. Një shembull: çdo dele ka sytë e saj karakteristikë, të mëdhenj e qesharakë, në pjesën e kokës së kostumit. “Janë 48 sy, dhe secili aprovohet veçmas për madhësinë dhe pozicionin e bebëzës,” thotë Lifschitz. “Që është fantastike, sepse tregon sa shumë kujdesen për punën e tyre.” Por kjo solli edhe disa biseda “të forta”, siç i quan ai. (Një skenë ku një dele qethej vetë si një striptiste u zbut, sepse ishte tepër seksi.) Aardman kujdesen shumë për rigorozitetin e rrëfimit, gjë që Lifschitz e pranon se “nuk është tamam fusha ime”. Puna e tij zakonisht është më abstrakte. “Mendoj se cirku ia del të tolerojë një farë lirshmërie, sepse shfaqja është emocionuese që në nisje,” thotë ai.
Ai e ka trajtuar rrëfimin edhe më parë, por shpesh e ka gjetur veten duke parë gjërat me “fokus të dyfishtë”. “Po përpiqesha të bindja veten se po shikoja diçka për Peter Pan-in, apo për ndryshimet klimatike, ndërsa shihja dikë që bënte diçka të aftë dhe mbresëlënëse, dhe mendova: ‘Pse të mos e ndërtojmë artin tonë thjesht mbi ‘aftësinë dhe bukurinë’?’ Kisha një lloj përvoje fenomenologjike heideggeriane,” thotë ai. “Dua përvojën e drejtpërdrejtë, ndjesinë e kësaj gjëje, jo domosdoshmërisht se për çfarë ‘flet’.”
Megjithatë, në këtë shfaqje, Lifschitz e vlerësoi sa kërkues ishin Aardman në artin e tregimit. “Ishin tepër të saktë në mënyrën se si vendoseshin dhe shpjegoheshin gjërat, ndoshta më shumë nga sa më duhej,” thotë ai. “Por ishte një mësim shumë i mirë për mua: rigoroziteti dramaturgjik mund të jetë një gjë e mirë.” Ja pra: dramë greke, Kafka dhe dramaturgji rigoroze. Dhe ju mendonit se ishte thjesht një vizatimor qesharak për një dele të zgjuar.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
