Platformat e udhëtimit po e promovojnë gjithnjë e më shumë “slow travel[i]” si trendin që duhet provuar në vitin 2026, duke theksuar përfitimet e tij për mjedisin dhe shëndetin mendor. Por a është një luks që mund ta përballojnë të gjithë?
Një term i ri në anglisht po qarkullon në industrinë e turizmit në Spanjë dhe mes agjencive të marketingut. Ajo që dikur ishte thjesht një shëtitje e së dielës në Manastirin e Santo Domingo de Silos, vendlindja e spanjishtes kastiliane, tani promovohet si një “strehë mes qetësisë”. Ndërsa një shëtitje në Sierra Cebollera, në rajonin Cameros të La Riojës, përshkruhet si një mjedis natyror ku mund të “humbësh veten”.
Në kthesën më të fundit për të promovuar destinacione “të pazakonta” në një vend që priti 96.8 milionë turistë në vitin 2025, gati dyfishi i popullsisë së tij, edhe portali zyrtar i turizmit në Spanjë i është bashkuar trendit të “slow tourism”, që nënkupton udhëtim pa nxitim.
Ekspertët e industrisë e përkufizojnë këtë prirje të re si një “model turizmi që nxit shijimin e përvojës, i përqendruar te konsumi, përmes ritmeve të ngadalta të udhëtimit”.
Organizatat e specializuara në këtë fushë argumentojnë se një formë më e qetë turizmi mund të jetë mundësi për të promovuar destinacione më të vogla ose rurale, duke mbështetur komunitetet lokale dhe duke bashkëpunuar me to që të rriten në mënyrë të qëndrueshme.
Nga këndvështrimi i politikave publike, kjo ka kuptim: turmat e turistëve priren të përqendrohen në pak vende, ndërsa qeveritë, siç tregojnë fushatat e fundit në Francë dhe Japoni, po përpiqen gjithnjë e më shumë t’i tërheqin drejt zonave të tjera të vendit, për të lehtësuar mbipopullimin dhe për të shpërndarë më mirë përfitimet e një prej sektorëve më fitimprurës në botë.
Në vetë Spanjën, gjysma e të gjithë udhëtarëve përqendrohen vetëm në tri rajone: Katalonjë, Ishujt Kanarie dhe Ishujt Balearikë, edhe pse vendi është i treti më i madh në Europë.
Rrjetet sociale i kanë hapur rrugë këtij fenomeni, edhe pse ndonjëherë e shtrembërojnë konceptin në favor të estetikës.
Të mirat dhe të këqijat e udhëtimit “slow”
Në librin “The Tourist: A New Theory of the Leisure Class[ii]” (1976), Dean MacCannell prezantoi konceptin e “autenticitetit të inskenuar”: hapësirat turistike ndërtojnë një simulim të jetës së vërtetë lokale. Me fjalë të tjera, udhëtari mund ta kuptojë se ajo që i ofrohet është një performancë larg rutinës së përditshme të vendasve, por gjithsesi e pranon.
Në artikullin “Time to transform the way we travel?”, (“A ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën si udhëtojmë?”) një grup akademikësh nga Australia dhe Kina theksojnë përfitimet e “slow travel”: uljen e ndikimit në mjedis, kërkimin e një përvoje më autentike e kuptimplotë, si dhe krijimin e një lidhjeje më të fortë me vendin e vizituar.
Ekspertët nënvizojnë edhe një tjetër argument të përdorur shpesh nga mbështetësit e këtij trendi: kërkimin e mirëqenies dhe reflektimit në një botë gjithnjë e më të përshpejtuar.
Por ata ngrejnë edhe disa pyetje: a mund të jetë vërtet i qëndrueshëm një udhëtim nëse turisti duhet të marrë avionin për të mbërritur?
Edhe nëse hiqet dorë nga fluturimet, a mbetet ky lloj udhëtimi i kufizuar për shtresat më të pasura, që mund të përballojnë forma të tjera transporti?
Nuk është njësoj të udhëtosh në Europë me tren apo kamper, në një nga kontinentet më të vogla dhe më të pasura të botës, me të udhëtuarin në Amerikën e Jugut, ku mungesa e infrastrukturës dhe distancat e mëdha e bëjnë fluturimin pothuajse të pashmangshëm kur koha është e kufizuar.
Si përgjigje, disa argumentojnë se zgjidhja mund të jetë thjesht qëndrimi më i gjatë në një destinacion të vetëm, në vend të përpjekjes për të vizituar disa pika turistike. Këtë qasje ndjekin platforma si Tintablanca, një shtëpi botuese e fokusuar te udhëtimet, që sugjeron zgjedhjen e një destinacioni të vetëm dhe shfrytëzimin e tij në maksimum.
“Ajo ka të bëjë me marrjen me qira të një apartamenti të vogël në Trastevere të Romës apo në Marais të Parisit dhe me jetesën sipas rutinës lokale”, shkruajnë ata.
Por a mund ta përballojë vërtet një turist me të ardhura të ulëta dhe pak ditë pushimi atë që ky publikim e romantizon si “të zbresësh çdo mëngjes në të njëjtën furrë buke, të mësosh si të përshëndesësh kamerierin në kafenenë e lagjes në gjuhën e tij, apo të memorizosh tingullin e saktë të kambanave të kishës më të afërt”?
Me një mesatare prej 22 ditësh pushimi në vit, nga të cilat 14.3 përdoren për udhëtime, dhe me një pagë mediane në Spanjë prej 24,500 eurosh në vitin 2024, debati mbetet i hapur./ Euronews-ad
