Në një moment shumë specifik në fund të pushimeve lumturia fillon të marrë një shije të çuditshme. Je ende aty, ndoshta në plazh, ndoshta duke pirë kafenë me pamje nga deti, por ke filluar të mendosh për email-et. Papritur të kujtohet alarmi. Trafiku. “Mirëmëngjes, si kalove?” nga kolegët.
Mirë se erdhe te post-vacation blues. Çfarë janë në fakt “post-vacation blues”?
Ajo ndjesia e çuditshme pas pushimeve është e zakonshme. Për disa ditë ke ndryshuar ritëm: ke fjetur ndryshe, ke ngrënë në orare të tjera, ke parë njerëz të tjerë dhe, më e rëndësishmja, dita jote nuk është organizuar rreth gjërave që duhet të bësh.
Pastaj kthehesh. Valixhja është ende në mes të dhomës, galeria e telefonit është plot dhe ti duhet të përgjigjesh në një email që fillon me “Uroj që ky email t’ju gjejë mirë dhe të keni kaluar pushime të këndshme”.
Nëse menjëherë përjetoni një lloj mërzitjeje, nuk do të thotë domosdoshmërisht që urren punën apo jetën tënde. Trurit thjesht i duhet pak kohë të kalojë nga “ku do shkojmë sonte?” te “në cilën orë e kemi mbledhjen sot?”.
Shenja nr. 1: Po të mungojnë pushimet apo personi që ishe me pushime?
Shiko (d.m.th lexo) ndoshta nuk të mungon vetëm deti, por fakti që nuk po kontrolloje orën. Që mund të pije kafenë për 40 minuta pa menduar se po humbisje kohë. Që një pasdite mund të mos kishe asnjë plan dhe askush nuk priste asgjë prej teje. Pushimet na japin një luks që nuk lidhet domosdoshmërisht me hotelin apo destinacionin: na japin leje të ngadalësojmë.
Shenja nr. 2: Të hënën je pak i/e mërzitur apo po mendon të ndryshosh identitet dhe të hapësh një beach bar?
Nëse dita e parë e punës të duket pak e rëndë, kjo është mëse normale. Nëse po sheh çmimet e shtëpive në ishullin ku kalove pesë ditë dhe po mendon seriozisht nëse mund të jetosh duke shitur byzylykë artizanalë (shaka, por e kuptoni idenë) ndoshta prit deri të premten para se të marrësh vendime. Ditët e para pas pushimeve janë një moment shumë i keq për të krahasuar jetën reale me jetën e pushimeve. Sigurisht që një mëngjes buzë detit fiton ndaj një takimi në Zoom.
Shenja nr. 3: Pas disa ditësh të kalon
Ky është ndoshta testi më i thjeshtë. Kthehesh, ankohesh, u tregon të gjithëve sa bukur kalove, thua të paktën një herë “nuk më besohet që para dy ditësh isha në plazh” dhe gradualisht rifillon jetën. Takohesh me njerëzit e tu. Rikthehesh te vendet e tua. Gjen përsëri kënaqësi te gjërat e vogla të ditës: kafeja e zakonshme, një drekë jashtë, një shëtitje pas pune apo ai momenti kur del për pak nga ritmi, merr ajër, dëgjon muzikë ose shijon një pauzë me IQOS, nëse je përdorues i rritur. Dhe papritur jeta normale nuk duket më aq tragjike.
Ky është post-vacation blues klasik. Por çfarë nëse nuk të kalon?
Nëse nuk të trishton vetëm fundi i pushimeve, por vetë ideja e rikthimit në përditshmëri; nëse çdo të diel ndihesh njësoj si në fund të pushimeve; nëse numëron vazhdimisht ditët deri te arratisja tjetër, ndoshta problemi nuk është që pushimet mbaruan, por që ka diçka në rutinën tënde që nuk po të pëlqen.
Sigurisht kjo nuk do të thotë automatikisht “lëre punën”. Mund të jetë orari, ngarkesa, mungesa e kufijve, fakti që nuk bën pauza gjatë ditës apo që ke krijuar një jetë ku relaksi ekziston vetëm kur rezervon hotel.
Testi i së hënës: Pyet veten: “Nëse nesër do të kthehesha në qytet, por nuk do të më duhej të punoja, a do të ndihesha po kaq keq?”
Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë problemi yt është puna dhe rutina. Nëse përgjigjja është “po, dua prapë detin, hotelin, mëngjesin që ma përgatit dikush tjetër dhe faktin që përgjegjësia ime më e madhe ishte të vendosja ku do haja darkë”, atëherë ndoshta thjesht po të mungojnë pushimet./mxh
