Bota reale është shumë më e keqe se Westeros-i – ndaj pse të mos e lejoni këtë histori të ngrohtë për një të pafavorizuar dhe shërbëtorin e tij pothuaj eterik të bëhet streha juaj e sigurt
Lucy Mangan
“Zoti i bekoftë çorapet e tyre të vogla prej pambuku!” nuk është një reagim që zakonisht e lidhim me banorët e Westeros-it, tokës së përgjakshme, të dhunshme, incestuoze dhe shpesh të degjeneruar të serialit Game of Thrones. Por protagonistët e dashur të spin-off-it më të fundit të kësaj franshize, A Knight of the Seven Kingdoms, e meritojnë plotësisht.
Emrat e tyre, ashtu si në novelat e George R R Martin mbi të cilat bazohet seriali, janë Dank – shkurt për Ser Dankani i Gjatë – dhe Eg. Danku (Peter Claffey, një ish-lojtar i regbisë irlandeze, i gjatë sa duhet për rolin, i parë së fundi në Bad Sisters) ishte shërbëtor i një kalorësi endacak, jo fisnik, Ser Arlani i Pennitriut (Danny Webb), i cili e mori djalin nën kujdesin e tij, por nuk ia doli kurrë ta shpallte zyrtarisht kalorës para se të vdiste. Takimi ynë i parë me Dankun është teksa ai varros mentorin e tij nën një lis të vjetër dhe merr armët përballë një deti telashesh që po përgatiten ta përpijnë. Danku është një shpirt i thjeshtë – shumë i thjeshtë, do të thoshin disa. Mund të duket si një Xhek Riçer mesjetar, por nga brenda është më shumë si një labrador i zellshëm dhe i hutuar – dhe niset të gjejë një zotëri të cilit mund t’i shërbejë si kalorës endacak.
Për fat të mirë, një nga ndalesat e tij të hershme është një han, ku futet në orbitën e fëmijës tullac, me pamje pothuaj qiellore dhe inteligjencë endacake, Egut (Dexter Sol Ansell, një prani e fuqishme në ekran brenda një trupi të vogël, jashtëzakonisht magjepsës për t’u parë). Egu i ofron të bëhet shërbëtori i Dankut (“Duket sikur ke më shumë nevojë për mua”) dhe kështu, i pafavorizuari dhe “këlyshi” i pafavorizuar nisen nëpër rrugicat e pasme të Westeros-it, njëqind vjet para Game of Thrones, me Targarienët në Fronin e Hekurt dhe disa mbiemra të njohur që qarkullojnë diku tjetër, drejt një turneu kalorësish që mund t’i sjellë Dankut fitoren dhe mentorin që i duhet.
Në termat e universit Game of Thrones, A Knight of the Seven Kingdoms është një bagatelë. Nëse House of the Dragon lindi nga dëshira për të shuar zemërimin e fansave për fundin e serialit origjinal – apo sezonin e fundit, apo sezonet e fundit, diskutim që mund të vazhdojë derisa edhe Xhon Snou të mërzitet për vdekje – duke mbajtur gjallë oreksin për më shumë derisa GRRM të përfundonte kryeveprën e tij, kjo ofertë e re duket krejt ndryshe. Çfarë do të thotë kjo për shpresat tona kolektive për dy librat e mbetur të sagës, më mirë të mos ndalemi gjatë.
Një nga dallimet më të dukshme është se, ndërsa Game of Thrones digjte ngjarjet me shpejtësinë e zjarrit të gjelbër të Maester Paicelit mbi flotën e Stanisit, në AKotSK ndodh shumë pak në episodin mesatar, i cili zgjat rreth 30 minuta, jo një orë të plotë dhe të rëndë si pararendësi i tij. Këtu jemi për miqësinë që po lind mes kalorësit dhe shërbëtorit, edhe pse nuk është gjithmonë e qartë – duke pasur parasysh njohuritë shumë më të mëdha të Egut për mënyrën se si funksionon bota krahasuar me Dankun e dashur – se kush është në të vërtetë mësuesi e kush nxënësi. Jemi këtu edhe për një investim emocional te ky dyshe, diçka që do të kishte qenë krejt marrëzi ta bënim me personazhet e Game of Thrones sapo pamë çfarë i bënë Ned Starkut.
Nuk është tamam material për fillestarë. Ka shumë sharje, shumë tortura krijuese – megjithëse më shpesh përshkruhen grafikisht sesa tregohen me detaje të plota, siç ishte tradita – si dhe pak lakuriqësi mashkullore ballore që… ngre disa pikëpyetje. Më vonë ka edhe një episod aq të mbushur me gjak saqë seriali nuk mund të shfaqet pa mbikëqyrje për fëmijë që nuk janë Eg. Por, në tërësi, është shumë, shumë më i butë se Game of Thrones apo House of the Dragon. Në vend të organeve të prera, kemi Dankun që përplaset me trarë dyersh. Në vend të Dasmës së Kuqe, të Purpurt apo të Sansës, kemi netë mesatarisht të dehura në hane. Në vend të bijve të shërbyer në byrekë, kemi – për fat të mirë – asnjë bir të shërbyer në byrekë. Është shumë më qetësuese. Dhe nuk ka Ramsi Bolton, përveçse në makthet tuaja.
Kjo të bën të pyesësh se kush është publiku i synuar. Jo fëmijët, të cilët ndoshta do të ngroheshin me këtë histori të një të rrituri të ngathët që shpëtohet herë pas here nga fëmija i mençur që i rri pas. Jo fansat e fantazisë epike që presin me padurim kapitullin tjetër të A Song of Ice and Fire – edhe pse dragonjtë ekzistojnë ende në kujtesën e gjallë, kjo epokë e hershme e Westeros-it është e lirë nga magjia dhe sorceria. Dhe ndonëse seriali prek çështje më të mëdha, si korrupsioni i pafajësisë apo të mirat dhe të këqijat e mendësisë feudale, nuk zhytet thellë në to dhe as nuk mban peshë të mjaftueshme për të tërhequr një audiencë të gjerë jashtë fansave të zjarrtë të GRRM-së.
Por ndoshta pikërisht fakti që nuk do ta vërë botën në flakë – as fjalë për fjalë brenda serialit, as metaforikisht jashtë tij – është thelbi. Bota reale tashmë është bërë tepër e ngjashme me Westeros-in që ne të përballojmë edhe më shumë. Toka e dhunës legjendare është kthyer në hapësirën tonë të sigurt. Ne të gjithë jemi Danku, që thjesht shpresojmë për mbrojtje, qoftë edhe nga diçka aq e brishtë sa një Eg.
Përgatiti për botim: L.Veizi
