Një diagnozë shëndetësore ka rikthyer në familjen Kardashian një prej kujtimeve më të dhimbshme të së kaluarës. Kim Kardashian është shfaqur në spital, duke zbuluar se është diagnostikuar me ezofagit, ndërsa momenti ka shkaktuar një reagim emocional nga nëna e saj, Kris Jenner.
Pamjet janë pjesë e trailerit të sezonit të 8-të të “The Kardashians”, ku Kim, 45 vjeç, shihet e shtrirë në një krevat spitali dhe tregon se ka “diçka që quhet ezofagit”.
Por ajo që e bën skenën edhe më tronditëse është pyetja që i drejtohet nga dikush jashtë kamerës: “A nuk ishte kjo ajo nga e cila vdiq babai yt?”
Në skenat pasuese shfaqet Kris Jenner, e cila mezi përmban emocionet. “Nuk mundem… më bën të dua të qaj”, shprehet ajo.
Babai i Kim, Robert Kardashian, ndërroi jetë në vitin 2003, në moshën 59-vjeçare, pas një beteje me kancerin e ezofagut. Për këtë arsye, diagnoza e së bijës duket se ka prekur një plagë të vjetër të familjes.
Megjithatë, bëhet fjalë për një dallim të rëndësishëm: ezofagiti nuk është kancer. Gjendja karakterizohet nga inflamacioni dhe irritimi i indeve të ezofagut dhe mund të shkaktohet, ndër të tjera, nga refluksi i acidit. Nëse inflamacioni kronik nuk trajtohet, në disa raste mund të çojë në ndryshime të njohura si ezofagu i Barrett-it, i cili lidhet me rritjen e rrezikut për kancer të ezofagut.
Kim ka folur edhe më parë për humbjen e të atit dhe për mënyrën se si sëmundja e tij ka ndikuar te familja. Robert Kardashian la pas katër fëmijë nga martesa me Kris Jenner: Kourtney, Kim, Khloé dhe Rob.
Tashmë, fansat do të duhet të presin sezonin e ri të “The Kardashians” për të mësuar më shumë rreth gjendjes së Kim dhe për të parë se si e ka përjetuar familja këtë moment, veçanërisht Kris Jenner, për të cilën kujtimi i humbjes së bashkëshortit të saj mbetet ende emocional./mxh
