Last Updated on 15/09/2025 by adminfjala
Javën e kaluar, Tirana priti për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, një moment që vlerësohet si ndër më të rëndësishmit për futbollin shqiptar.
Me pjesëmarrjen e vetë Presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, kjo vizitë solli jo vetëm vendime të mëdha për futbollin europian, por edhe një vëmendje të madhe për Shqipërinë.
Në një intervistë ekskluzive për FSHF TV, Çeferin u shpreh i kënaqur me mikpritjen dhe ndryshimet që ka parë në Tiranë ndër vite, ndërsa theksoi se zgjedhja për të mbajtur këtë mbledhje në kryeqytetin tonë ishte e lehtë.
“Tirana është një vend fantastik për të ardhur, organizimi ishte i shkëlqyer”, deklaroi ai.
Një tjetër temë e nxehtë ishte bashkë-organizimi i Europianit U-21 në vitin 2027 nga Shqipëria dhe Serbia, që ka shkaktuar shumë debat në rajon.
Por kreu i UEFA-s ishte i prerë: “Futbolli është përtej politikës. Duhet të sjellë paqe dhe miqësi, jo përçarje. Jam i sigurt që gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm”.
Çeferin shpjegoi edhe mënyrën si UEFA ndihmon vendet e vogla, duke theksuar se balanca është e drejtë dhe se vendet e vogla marrin më shumë mbështetje pikërisht për të zhvilluar futbollin.
I pyetur nëse Shqipëria mund të presë ndonjë kompeticion madhor si një Euro 2036, Çeferin u përgjigj me një buzëqeshje: “Je i shpejtë! Të gjithë e duan, por për momentin nuk mund të jap një përgjigje. Stadiumin e keni, por për pjesën tjetër duhet të punoni pak më shumë”.
Pas finales së Conference League në 2022, Europianit U-17 dhe tashmë këtij takimi të nivelit të lartë, Shqipëria duket gjithnjë e më pranë që të jetë pjesë e hartës së madhe të futbollit europian./e.t
