Aty ku gjiri i Detit Adriatik takohet me peizazhin e Lagunës së Nartës, shtrihet Zvërneci, një nga zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar.
Zvërneci konsiderohet si një nga fshatrat më të veçantë të Vlorës, i njohur për natyrën e tij unike dhe trashëgiminë kulturore.
I vendosur pranë lagunës, Zvërneci ruan në ditët e sotme atmosferën e një vendi të qetë, ku deti, pylli dhe historia ndërthuren së bashku.
Pak kilometra larg qytetit Vlorës, ky territor me një sipërfaqe ndërthur detin, pyjet, lagunën dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, duke krijuar një peizazh që vitet e fundit tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Vlorës, Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon Laguna e Nartës.
Në zemër të kësaj hapësire ndodhet ishulli i Zvërnecit, i mbuluar kryesisht me pisha, selvi dhe bimësi tjetër mesdhetare.
Ishulli i vogël është i lidhur me tokën përmes një ure prej druri, e cila përshkon ujërat e qeta të lagunës dhe i jep vizitës së çdo turisti një tjetër dimension.
Në fund të urës ndodhet Manastiri i Shën Mërisë, një nga monumentet më të njohura të zonës, që daton në shekullin e XIII.
Laguna që e rrethon ishullin është një ekosistem i pasur me biodiversitet, me shpendë të ndryshëm ujorë, përfshirë flamingot.
Ujërat e qeta dhe reflektimi i pyllit në sipërfaqen e lagunës krijojnë një panoramë magjepsëse për çdo vizitor, ndërkohë përballë shtrihet edhe Ishulli i Sazanit./mxh