Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, ka komentuar mënyrën se si funksionon rrethi i njerëzve pranë presidentit Donald Trump, duke shprehur shqetësimin se shumë prej tyre nuk i kundërshtojnë vendimet apo qëndrimet e tij.
Në një intervistë të shkurtër, pjesë e dokumentarit të ri ku ajo është protagonistja kryesore, Melania u shpreh se bashkëshorti e konsideron ndonjëherë të vështirë, por ajo zgjedh t’i thotë gjithmonë të vërtetën.
“Donald thotë se jam e vështirë, por unë i them të vërtetën. Më duket se ndonjëherë ka shumë njerëz rreth tij, ka shumë persona që i thonë vetëm ‘po’, dhe kjo nuk është e shëndetshme”, deklaroi Melania Trump.
Ajo nuk përmendi emra konkretë dhe as nuk sqaroi nëse mes personave që i referohej përfshiheshin edhe bashkëpunëtorë të afërt të presidentit.
E pyetur në tapetin e kuq nëse do t’i mungojë Shtëpia e Bardhë pas përfundimit të mandatit të bashkëshortit, Zonja e Parë e SHBA u shpreh se familja Trump e pëlqen rezidencën presidenciale.
“Ne e duam Shtëpinë e Bardhë. Është një vend shumë i bukur”, tha ajo.
Megjithatë, Melania ka kaluar relativisht pak kohë në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, duke ndarë jetën mes Palm Beach, Trump Tower në Nju Jork dhe Uashingtonit.
Në dokumentar, ajo thekson rëndësinë e hapësirës personale dhe të qëndrimit larg vëmendjes së vazhdueshme.
“Vetmia është e rëndësishme”, shprehet bashkëshortja e presidentit amerikan, duke shtuar se “nuk mund të qëndrosh pa ndërprerje pranë atij personi”.
Sa i përket planeve të saj pas përfundimit të mandatit të dytë të Trumpit, ajo nuk dha detaje.
“Është ende herët për të folur për këtë”, tha ajo shumë shkurt.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Melania Trump foli edhe për mënyrën se si perceptohet nga opinioni publik, duke pretenduar se një pjesë e njerëzve vazhdon të ketë një imazh të shtrembëruar për të.
“Ndoshta ata nuk duan vërtet të më njohin, ose nuk i kushtojnë vëmendje asaj që bëj. Preferojnë të merren me thashetheme. Nëse do të shikonin atë që bëj konkretisht, besoj se do të zbulonin diçka shumë më të rëndësishme”, theksoi bashkëshortja e presidentit amerikan.
Deklaratat e saj janë pjesë e dokumentarit të ri që sjell një vështrim mbi jetën private, angazhimet dhe rolin e Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara./k.m
