Reperi dhe aktori amerikan A$AP Rocky ka publikuar videoklipin e këngës së tij më të re, “Punk Rocky”, ku në rol kryesor shfaqet aktorja e njohur Winona Ryder. Kënga është singëlli i parë nga albumi i katërt në studio i artistit 37-vjeçar, “Don’t Be Dumb”, i cili pritet të publikohet të premten, më 16 janar.
“Punk Rocky”, e lançuar më 6 janar, përfshin gjithashtu pjesëmarrjen e artistëve Thundercat dhe A$AP Nast, si edhe të kompozitorit të famshëm Danny Elfman. Videoklipi është realizuar nën regjinë e vetë A$AP Rocky-t, në bashkëpunim me Folkert Verdoorn dhe Simon Becks, të njohur si The Three Musketeers.
Albumi i ri shënon rikthimin e shumëpritur të reperit “Fashion Killa”, i cili nuk ka publikuar një album prej tetë vitesh. Për artwork-un e “Don’t Be Dumb”, A$AP Rocky ka bashkëpunuar me regjisorin e njohur Tim Burton.
Me emrin e vërtetë Rakim Mayers, A$AP Rocky debutoi në vitin 2011 dhe arriti sukses të madh me albumin e tij të parë, “Long. Live. A$AP”, i cili kryesoi klasifikimet muzikore në vitin 2013. Në jetën personale, artisti është në një lidhje me këngëtaren dhe sipërmarrësen Rihanna, me të cilën ka tre fëmijë./mxh
