Një stuhi e fortë shiu ka përfshirë Rripin e Gazës të martën, më 13 janar, duke shkaktuar përmbytje masive, shembjen e qindra strehimeve provizore dhe humbjen e jetës së të paktën gjashtë personave, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Mjekët raportojnë se pesë persona, mes tyre dy gra dhe një vajzë, humbën jetën kur banesat ku ishin strehuar u shembën pranë zonës bregdetare të qytetit të Gazës. Ndërkohë, në Deir Al-Balah, në qendër të Gazës, një foshnjë njëvjeçare ndërroi jetë si pasojë e të ftohtit ekstrem në një tendë.
Stuhia ka shkatërruar qindra tenda, disa prej të cilave janë shkëputur nga tokat dhe janë përplasur dhjetëra metra më larg, ndërsa të tjera janë fundosur në pellgje balte. Familjet e zhvendosura janë përpjekur të shpëtojnë sendet e pakta që kishin.
“Natën e kaluar nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ne po mbyteshim. Rrobat tona u lagën dhe nuk kemi çfarë të veshim. Jemi fëmijë,” tha 12-vjeçarja Nagham Alfayomi.
Tre muaj pas armëpushimit që ndaloi luftimet e mëdha, forcat izraelite kanë urdhëruar pothuajse zbrazjen e dy të tretave të territorit të Gazës, duke detyruar mbi 2 milionë banorë të grumbullohen në një zonë të ngushtë pranë bregdetit. Shumica jetojnë në tenda të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara.
Zyra e mediave e qeverisë së drejtuar nga Hamasi në Gaza njoftoi se të paktën 31 palestinezë kanë humbur jetën që nga fillimi i dimrit, si pasojë e të ftohtit apo shembjes së ndërtesave të pasigurta të dëmtuara nga sulmet e mëparshme izraelite. Sipas saj, rreth 7 mijë tenda janë dëmtuar vetëm në 48 orët e fundit dhe shumica e banorëve nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi.
Autoritetet komunale dhe ato të mbrojtjes civile kanë deklaruar se nuk janë në gjendje të përballojnë situatën për shkak të mungesës së karburantit dhe pajisjeve të dëmtuara. Gjatë luftës, qindra mjete emergjente, përfshirë buldozerë dhe pompa uji, janë shkatërruar.
Një raport i OKB-së në dhjetor paralajmëroi se 761 zona strehimi, ku jetojnë rreth 850 mijë persona, janë në rrezik të lartë përmbytjeje. Sipas OKB-së dhe autoriteteve palestineze, nevojiten urgjentisht të paktën 300 mijë tenda të reja për rreth 1.5 milionë persona ende të zhvendosur.
Në një deklaratë të martën, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve të marrëveshjes së armëpushimit që të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të lejuar pa kushte hyrjen e ndihmave humanitare, strehimit dhe materialeve për rindërtim. Izraeli nga ana tjetër thotë se qindra kamionë me ushqime, pajisje mjekësore dhe strehim hyjnë çdo ditë në Gaza, ndërsa organizatat ndërkombëtare të ndihmës theksojnë se ndihmat mbeten të pamjaftueshme./mxh
