Last Updated on 05/10/2026 by Monika
Komuniteti hebre në Gjermani po përballet me një normalitet të ri antisemit, tre vjet pas sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit, bëri të ditur një raport i publikuar sot nga Agjencia Federale gjermane Kundër Diskriminimit (Antidiskriminierungsstelle des Bundes – ADS).
Raporti shqyrton përvojat e komuniteteve hebraike dhe izraelite në Gjermani pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi dhe pasojat e tyre.
Sipas agjencisë, përjashtimi dhe diskriminimi ndaj hebrenjve po shfaqen në pjesë të ndryshme të shoqërisë gjermane.
“Studimi tregon përmasat e plota të diskriminimit antisemit”, tha Ferda Ataman, komisionerja e pavarur federale për antidiskriminimin.
Sipas saj, personat që shprehen hapur se janë hebrenj ose izraelitë mund të përballen me pasoja serioze, nga vështirësitë për të gjetur banesë ose punë, deri te refuzimi i shërbimit në restorante apo bullizmi në kopshte dhe shkolla.
Studimi u zhvillua gjatë dy viteve dhe përfshiu intervista me 118 persona.
Ai konstatoi se sulmet e 7 tetorit krijuan te disa hebrenj që jetojnë në Gjermani ndjesinë se edhe ata nuk ishin të sigurt dhe mund të shndërroheshin në objektiv për shkak të identitetit të tyre.
Pas sulmeve, pjesëmarrësit në studim raportuan indiferencë dhe heshtje nga miq dhe të njohur, ose përpjekje për ta shpjeguar menjëherë situatën përmes interpretimeve të zakonshme të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Shumë prej tyre thanë se nuk morën vetëm mungesë mbështetjeje dhe empatie, por u trajtuan drejtpërdrejt si hebrenj dhe si përfaqësues të Izraelit.
Raporti përmend gjithashtu përballje fyese në hapësirat fizike dhe ato digjitale, disa prej të cilave nisën që më 7 tetor dhe vazhduan më pas.
Sipas të intervistuarve, masakra, marrja peng e njerëzve dhe sulmet me raketa ndaj Izraelit janë relativizuar ose interpretuar në mënyrë të njëanshme, ndërsa përgjegjësia është drejtuar vetëm ndaj Izraelit.
Agjencia paralajmëroi se presioni për të justifikuar identitetin dhe prejardhjen e vet po i shtyn fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit të tërhiqen nga jeta shoqërore, të përjetojnë ngarkesë psikologjike dhe të kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.
Ataman bëri thirrje për mbrojtje më të fortë ligjore të hebrenjve nga diskriminimi, veçanërisht në shkolla dhe universitete./mxh
