Pesë persona kanë mbetur të plagosur pasi një tren doli nga shinat në Alpet Zvicerane, pranë vendbanimit Goppenstein.
Sipas policisë së kantonit Valais, shkaku i aksidentit ende nuk dihet dhe hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet bëjnë të ditur se një nga të plagosurit u transportua për trajtim të specializuar në spitalin e qytetit Sion, ndërsa katër personat e tjerë morën ndihmën mjekësore në vendngjarje.
Në momentin e aksidentit, në bord ndodheshin 29 pasagjerë. Të gjithë u evakuuan fillimisht në Goppenstein dhe më pas u transportuan me autobus drejt qytetit Gampel, në rrëzë të luginës.
Zëdhënësi i policisë kantonale, Daniel Imboden, konfirmoi se situata është nën kontroll dhe se shërbimet e emergjencës reaguan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e daljes nga shinat të trenit, ndërsa qarkullimi në këtë segment hekurudhor mbetet i pezulluar deri në një njoftim të dytë./mxh
