Last Updated on 29/04/2026 by EL
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, zhvilloi një takim me strukturat e emergjencave, Policisë Bashkiake dhe të shërbimit zjarrfikës, në kuadër të planit të masave pas zjarrit që ra te pallati në zonën e “Farmacisë 10”, ku u dogjën 71 apartamente.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Ristani vlerësoi reagimin e koordinuar të të gjitha strukturave, duke theksuar se ndërhyrja në kohë bëri të mundur evakuimin e banorëve pa pasoja në jetë njerëzish.
“Arsyeja për takimin ka disa qëllime, në radhë të pare, për të falenderuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ndërhyrjen emergjente të zjarrit që ra te pallati te Rruga e Dibrës. Lajm i mirë dhe që do vijojmë ta përsërisim është që për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë dëm në njerëz dhe kjo është falë ndërhyrjes tuaj, falë punës që keni bërë të gjithë në koordinim, që nga skuadra jonë e emergjencës që kanë kontaktuar me njerëzit deri te zjarrfikëset, si dhe Policia Bashkiake që ka ndihmuar me qarkullimin dhe pastaj e gjithë pjesa e administratës që ndihmoi për të gjetur një zgjidhje për strehimin e familjeve, që nuk është gjithashtu një punë e lehtë”, tha ajo.
Më tej, Ristani njoftoi nisjen e një procesi të zgjeruar kontrolli për masat e sigurisë kundër zjarrit në ndërtesat që janë pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, por që nuk kanë kaluar më pas në filtrat e plotë të verifikimit.
“Nga sa kemi parë nga procesi jonë i ndjekjes së punës për ato objekte të cilat, si ai i pallatit që u dogj, dalin jashtë filtrit të kontrolleve të Bashkisë për një mijë arsye të legjislacioneve, arsyetimeve se si funksionojnë objektet që dalin jashtë kuadrit të kontrollit të strukturave të Bashkisë. Me diskutimet që kemi pasur në Këshillin Bashkiak, por edhe për t’iu përgjigjur merakut që kanë qytetarët për banesat ku jetojnë, për t’u krijuar siguri, për të thënë që ne pjesën tonë të punës apo të kuadrit tonë e kemi të ezauruar, ajo që kam vendosur është që të fillojmë menjëherë një kontroll njësoj siç do ta bënim për sa i përket sigurisë së zjarrit për të gjitha objektet, lejet e të cilave janë lëshuar nga institucioni i Bashkisë Tiranë”, njoftoi ajo.
Më tej, ajo sqaroi se “për të gjithë ato objekte që nuk kanë pasur mundësi strukturat e Bashkisë të shohin dhe të ndjekin projektin e tyre në faza të avancuara dhe kanë kaluar në kanale të tjera apo dhe nuk i kanë kaluar kanalet e tjera të licencimit dhe të marrjes së certifikatës së objektit, kontrollet do të ndodhin sikur të kishte kaluar”. “Kontrolli për sa i përket sigurisë kundër zjarrit do të bëhet njësoj siç do të bëhej në një objekt që do të kërkonte pastaj certifikatën e përdorimit dhe të gjithë kolaudimin dhe që do të shkonte në një rrugë normale”, u shpreh Ristani.
Në vijim, ajo sqaroi gjithashtu se aktualisht kontrollet e sigurisë kundër zjarrit fokusohen kryesisht te subjektet tregtare, kurse për banesat, një rol kyç mbetet ai i administratorëve, të cilët duhet të garantojnë mirëmbajtjen dhe respektimin e kushteve të sigurisë.
“Kontrolli jonë i sigurisë kundër zjarrit bëhet për subjektet tregtare, por nuk bëhet për banesat. Këtu futet shumë në veprim roli i administratorit. Strukturat e bashkisë që janë në kontakt me administratorët që në procesin e licensimit të administratorëve, por edhe të edukimit të tyre, kjo përgjegjësi duhet që të mirëmbahet nga ata”, sqaroi Ristani. Në mbyllje, ajo bëri të ditur se gjetjet nga kontrollet do të raportohen në të gjitha nivelet institucionale, me qëllim marrjen e masave përkatëse./et
