Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, u ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit britanik të tregohen të kujdesshëm, pasi rreziku nga zjarret në natyrë vazhdon të jetë i lartë pas një periudhe të gjatë me mot të thatë.
Khan paralajmëroi se temperaturat disi më të ulëta të ditëve të fundit nuk mjaftojnë për të eliminuar pasojat e javëve të tëra me mungesë reshjesh. Ai u kërkoi londinezëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të njoftojnë policinë nëse dyshojnë për raste zjarrvënieje të qëllimshme.
Sipas tij, terreni i tharë, i kombinuar me sjelljen e pakujdesshme të njerëzve, mund të shkaktojë shumë shpejt përhapjen e një zjarri.
Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet kanë marrë masa shtesë për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta. Mes tyre është edhe ndalimi i përkohshëm i shitjes së barbekjuve njëpërdorimëshe, të cilat konsiderohen një rrezik të shtuar për shpërthimin e zjarreve në këto kushte.
Kryeministri britanik Andy Burnham ka paralajmëruar se situata në vend është jashtëzakonisht e rrezikshme, duke e krahasuar Britaninë me një “fuçi baruti”. Ndërkohë, ekipet e zjarrfikësve po vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatra të shumta zjarri, veçanërisht në West Midlands.
Burnham ka theksuar gjithashtu se zjarret e fundit janë një tjetër tregues i ndikimit të ndryshimeve klimatike, duke argumentuar se këto ngjarje nuk duhet të konsiderohen si një realitet i pashmangshëm./mxh