Tregjet amerikane të aksioneve u mbyllën në rënie të enjten, ndërsa Nasdaq pësoi humbjen më të madhe ditore që nga fillimi i qershorit. Rezultatet financiare të disa kompanive të mëdha të teknologjisë rikthyen shqetësimet për garën e shpenzimeve në inteligjencën artificiale (AI).
Nasdaq është një nga indekset kryesore të bursës amerikane, ku përfshihen shumë kompani të mëdha të teknologjisë, si Apple, Microsoft, Nvidia dhe Amazon.
Indeksi S&P 500 e përfundoi seancën në territor negativ, ndërsa Nasdaq, ku pesha kryesore u takon kompanive të teknologjisë, ra edhe më fort, duke humbur 2,6%. Rënia u nxit kryesisht nga shitjet e aksioneve të prodhuesve të gjysmëpërçuesve, pas publikimit të disa rezultateve financiare të kompanive të rëndësishme të lidhura me inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, indeksi industrial Dow Jones arriti të mbyllej me një rritje të lehtë, pak minuta para përfundimit të seancës.

Pas rënies së të enjtes, indeksi i gjysmëpërçuesve SOX rezultoi më shumë se 26% nën nivelin rekord të mbylljes, të arritur më 22 qershor. Megjithatë, që nga fillimi i vitit, ai vijon të jetë në rritje me 51,5%. Gjatë së njëjtës periudhë, S&P 500 ka shënuar një rritje prej 11,9%.
“Është një ditë e mrekullueshme në Wall Street”, u shpreh me ironi Paul Nolte, këshilltar i lartë financiar dhe strateg tregu në Murphy & Sylvest, në Elmhurst të Illinoisit.
Sipas tij, presioni në treg është përqendruar kryesisht te teknologjia, e cila deri rreth muajit qershor kishte qenë një nga sektorët më të preferuar të investitorëve.
“Investitorët po fillojnë të kuptojnë se ka disa pika të dobëta në narrativën e inteligjencës artificiale. Kjo po ndikon te indekset, pasi ato kanë një ekspozim shumë të madh ndaj sektorit të teknologjisë”, theksoi Nolte.
Tensionet në Lindjen e Mesme shtojnë presionin mbi tregjet
Në planin gjeopolitik, sulmet e reja të rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, ndaj objektivave në Arabinë Saudite çuan çmimet e naftës bruto në nivelin më të lartë të pesë muajve.
Investitorët shqetësohen se përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme mund të mbajë inflacionin në nivele të larta dhe ta detyrojë Rezervën Federale të SHBA-së (Fed) të vazhdojë rritjen e normave të interesit.
Të dhënat e Departamentit Amerikan të Punës treguan se kërkesat fillestare për përfitimet e papunësisë vijuan të qëndronin pranë niveleve më të ulëta të regjistruara në disa dekada. Stabiliteti i tregut të punës i jep Fed-it më shumë hapësirë për t’u përqendruar te lufta kundër inflacionit.
Aktualisht, tregjet financiare po llogarisin mundësinë e një tjetër rritjeje prej 0,25 pikësh përqindjeje të normës bazë të interesit përpara fundit të vitit.
Nasdaq bie 2,6%, ndërsa Dow Jones mbyllet lehtë në rritje
Në përfundim të seancës së së enjtes, indekset kryesore amerikane regjistruan këto lëvizje:
- Dow Jones: u rrit me 11,89 pikë, ose 0,02%, duke u mbyllur në 52.867,98 pikë.
- S&P 500: ra me 93,74 pikë, ose 1,21%, në 7.663,43 pikë.
- Nasdaq Composite: humbi 694 pikë, ose 2,60%, duke zbritur në 26.008,86 pikë.
Sezoni i publikimit të rezultateve financiare për tremujorin e tretë është në zhvillim e sipër. Deri tani, 111 kompani të përfshira në indeksin S&P 500 kanë raportuar rezultatet e tyre. Sipas të dhënave më të fundit të LSEG, 83% e tyre kanë tejkaluar pritshmëritë e analistëve.
Cilët aksione fituan dhe cilët humbën?
Mes kompanive që shënuan rritje, Procter & Gamble avancoi me 5,6%, pasi, pavarësisht paralajmërimit për rritjen e kostove dhe ndikimin e tyre te fitimet, raportoi rezultate më të mira se parashikimet e analistëve. Kjo ecuri mbështeti edhe sektorin e produkteve të konsumit bazë.
Blackstone u rrit me 8,4%, pasi kompania vlerësoi se zgjerimi i diferencave të interesit për borxhin e lidhur me inteligjencën artificiale mund të krijojë mundësi për investime me kthime më të larta.
Lockheed Martin shënoi një rritje prej 7%, pasi kompania e sektorit të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes përmirësoi parashikimet vjetore për shitjet dhe fitimin.
Edhe Spotify regjistroi një rritje të fortë, prej 11,1%. Kompania suedeze e transmetimit të muzikës parashikoi fitime për tremujorin e katërt mbi pritshmëritë e Wall Street-it, duke u mbështetur te funksionet e fuqizuara nga inteligjenca artificiale për të nxitur rritjen e numrit të përdoruesve.
Ndërkohë, Union Pacific u rrit me 3,6%, pas rezultateve tremujore më të mira se pritshmëritë. Megjithatë, kompania hekurudhore paralajmëroi se rritja e çmimeve të karburanteve do të ndikonte negativisht në rezultatet e saj.
Në krahun e humbjeve, kompanitë e gjysmëpërçuesve u goditën më rëndë nga vala e shitjeve. Intel, AMD, SanDisk dhe Marvell shënuan rënie me më shumë se 8% secila, në kushtet e presionit të përgjithshëm mbi sektorin.
Rriten aksionet në rënie dhe shtohet volumi i tregtimit
Në Bursën e Nju-Jorkut (NYSE), aksionet që u rritën ishin në raportin 1,01 me 1 ndaj atyre që ranë. Gjatë seancës u regjistruan 173 aksione në nivelet më të larta të periudhës, kundrejt 366 aksioneve që prekën nivelet më të ulëta.
Në Nasdaq, 2.022 aksione u rritën dhe 2.766 ranë, me një raport prej 1,37 aksionesh në rënie për çdo aksion në rritje.
Indeksi S&P 500 regjistroi 40 nivele të reja maksimale 52-javore dhe katër nivele minimale. Në Nasdaq Composite, 82 aksione arritën nivele të reja maksimale, ndërsa 342 prekën nivele të reja minimale.
Volumi i tregtimit në bursat amerikane arriti në 18,79 miliardë aksione, nga një mesatare prej 17,19 miliardësh gjatë 20 seancave të fundit.
Rënia e së enjtes tregon se shqetësimet për përmasat e investimeve në inteligjencën artificiale po ushtrojnë presion mbi tregjet. Edhe pse pjesa më e madhe e kompanive që kanë raportuar deri tani kanë tejkaluar pritshmëritë e analistëve, investitorët po tregohen më të kujdesshëm ndaj vlerësimeve të larta të kompanive të teknologjisë dhe aftësisë së tyre për t’i kthyer shpenzimet për AI në fitime të qëndrueshme./ Reuters -ad
