Mjekja kardiologe Engjellushe Hasani ka folur në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për ndikimin që temperaturat e larta kanë në organizmin e njeriut, duke theksuar se rreziku nuk prek vetëm personat me probleme shëndetësore, por edhe njerëzit e shëndetshëm.
Sipas saj, në kushtet e vapës ekstreme, zemra përballet me një ngarkesë shumë më të madhe se zakonisht, pasi duhet të punojë dy deri në katër herë më shumë për të përballuar ndryshimet që ndodhin në trup.
“Temperaturat e larta sjellin efekte jo vetëm te njerëzit e sëmurë, por edhe të shëndetshëm. Ndonjëherë temperaturat janë aq të rrezikshme sa bëhen emergjencë mjekësore. Kur kemi temperatura shumë të larta zemra duhet të punojë dy deri në 4 herë më shumë se sa në kushte të tjera optimale. Temperaturat e larta bëjnë që qarkullimi të përqendrohet në lëkurë, duke zgjeruar enët e gjakut dhe shkakton rritje të të rrahurave të zemrës, ndonjëherë çrregullim të ritmit dhe djersitje të tepërt”, tha Hasani.
Kardiologia shpjegoi se djersitja, edhe pse është një mekanizëm natyral i trupit për të ulur temperaturën, nuk është gjithmonë e mjaftueshme për ta mbrojtur organizmin, sidomos kur ajri është i lagësht.
“Kjo djersitje e tepërt jo gjithmonë është shpëtim për trupin e njeriut, sepse kur ambienti është i lagësht, bën që organet e tij të punojnë më tepër se sa në kushtet optimale. Zemra vuan, shfaqet me takikardi, rrahje të shpeshta, drobitje të njeriut dhe lodhje të përgjithshme”, shtoi ajo.
Hasani u bëri thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese të organizmit, si rrahjet e shpeshta të zemrës, dobësia apo lodhja e pazakontë.
“Ata që hasin shenja të tilla duhet t’i drejtohen mjekut të familjes për të parë nëse ka ndonjë organ që duhet ta ndjekë më tej te specialist”, përfundoi mjekja kardiologe./ad
