Last Updated on 06/05/2026 by Anisa
Një anije turistike me raste të dyshuara të hantavirusit dhe tre viktima në bord do të drejtohet drejt Ishujve Kanarie për kontrolle mjekësore, pasi Kepi i Gjelbër nuk disponon infrastrukturën e nevojshme për të përballuar situatën.
Ministria spanjolle e Shëndetësisë konfirmoi se anija MV Hondius do të pranohet “në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe për arsye humanitare”. Sipas autoriteteve, ajo pritet të mbërrijë brenda tre deri në katër ditësh, ndërsa të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit do t’i nënshtrohen kontrolleve të plota mjekësore përpara kthimit në vendet e tyre.
Autoritetet spanjolle theksuan se Ishujt Kanarie janë destinacioni më i afërt me kapacitetet e duhura shëndetësore, duke nënvizuar gjithashtu “detyrën morale dhe ligjore” për të ndihmuar personat në bord, shumë prej të cilëve janë shtetas spanjollë.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kepi i Gjelbër nuk është në gjendje të menaxhojë një operacion të tillë emergjent. Ndërkohë, autoritetet lokale njoftuan se tre pasagjerë të infektuar do të evakuohen me ambulanca ajrore, ku njëra ka mbërritur tashmë dhe tjetra është në pritje.
Përfaqësuesja e OBSH-së në vend, Anne Lindstrand, bëri të ditur se dy anëtarë të ekuipazhit dhe një person tjetër i ekspozuar ndaj virusit do të transferohen fillimisht në Praia dhe më pas do të dërgohen me avion për trajtim të specializuar. Sipas raportimeve, tre pacientët do të transportohen në Holandë, ndërsa njëri prej tyre është shtetas holandez.
Anija ishte nisur nga Ushuaia, Argjentinë, me destinacion Kepin e Gjelbër dhe kishte në bord 88 pasagjerë dhe 59 anëtarë ekuipazhi. Ajo ka mbetur e bllokuar pranë brigjeve të Praia që nga e diela, pasi nuk iu lejua të ankorohej.
Sipas OBSH-së, tre personat që humbën jetën në bord dyshohet se janë viktima të hantavirusit, një sëmundje e rrezikshme që mund të shkaktojë dështim akut të frymëmarrjes. Situata mbetet nën monitorim, ndërsa autoritetet ndërkombëtare po koordinojnë për menaxhimin e emergjencës shëndetësore në bord.
