Australia dhe vendet e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kanë rikonfirmuar angazhimin për të zgjeruar tregtinë dhe investimet dypalëshe, për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë detare, arsimit dhe klimës, raportoi “GMA News”.
Këto angazhime u konfirmuan gjatë Samitit të gjashtë ASEAN-Australi, të zhvilluar sot në Manila, ku morën pjesë liderët e vendeve anëtare të ASEAN-it dhe kryeministri australian, Anthony Albanese.
Albanese theksoi se bashkëpunimi mes palëve, duhet të përqendrohet në rritjen e tregtisë dhe investimeve, shfrytëzimin e mundësive që ofron energjia e pastër, përballimin e ndryshimeve klimatike, zhvillimin e infrastrukturës dhe krijimin e më shumë mundësive në arsim.
“Ne rikonfirmojmë së bashku angazhimin tonë, për të rritur tregtinë dhe investimet dypalëshe, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron energjia e pastër, për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, për të përmirësuar infrastrukturën, për të krijuar mundësi më të drejta në arsim dhe për të forcuar sigurinë detare”, deklaroi kryeministri australian.
Ai nënvizoi se siguria dhe paqja në rajon, varen edhe nga zhvillimi ekonomik dhe begatia e përbashkët.
“Jam gjithashtu shumë i bindur se, duke punuar së bashku, mund të përballojmë pasojat e konflikteve globale, përfshirë krizën më të madhe të naftës dhe energjisë në historinë botërore, veçanërisht përmes investimeve, për ta bërë më të qëndrueshëm zinxhirin e përbashkët të furnizimit me energji”, u shpreh Albanese.
Kryeministri australian njoftoi gjithashtu një paketë të re bashkëpunimi në fushën digjitale, e cila synon të përshpejtojë transformimin digjital të vendeve të ASEAN-it dhe të nxisë rritjen ekonomike të rajonit.
Paketa parashikon forcimin e infrastrukturës digjitale, mbështetjen e standardeve për sigurinë e inteligjencës artificiale dhe përgatitjen e një fuqie punëtore të aftë për ekonominë digjitale.
Albanese bëri të ditur se strategjia ekonomike e Australisë për Azinë Juglindore deri në vitin 2040, ka ndihmuar në sigurimin e 4,5 miliardë dollarëve në investime të reja australiane në rajon.
Ai njoftoi se Australia do të zgjerojë ekipet, që merren me marrëveshjet e investimeve dhe do të krijojë një program të ri financimi, të quajtur “Invested 2040”, përmes fondit “Australian Development Investments”.
Sipas tij, këto nisma do të lidhin kapitalin australian me bizneset me rritjen më të shpejtë në Azinë Juglindore, duke ndihmuar në shfrytëzimin e mundësive të reja ekonomike.
Gjatë samitit, liderët rikonfirmuan gjithashtu, rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë detare, sigurinë kibernetike, luftën kundër terrorizmit, trafikimit të personave, mashtrimeve në internet dhe trafikut të paligjshëm të drogës.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., vlerësoi partneritetin afatgjatë me Australinë, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre ka kontribuar në promovimin e paqes, zhvillimit dhe stabilitetit në rajon.
Ai bëri të ditur se tregtia dypalëshe mes Australisë dhe ASEAN-it, arriti në 197,5 miliardë dollarë australianë vitin e kaluar, ndërsa marrëveshja e përmirësuar e tregtisë së lirë mes ASEAN-it, Australisë dhe Zelandës së Re u ofron bizneseve më shumë mundësi, për të hyrë në tregjet e njëri-tjetrit.
Samiti u zhvillua në kuadër të pesëvjetorit të Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik ASEAN-Australi, i krijuar në vitin 2021.
Në përfundim të takimit, liderët miratuan një deklaratë të përbashkët, ku përcaktuan prioritetet e bashkëpunimit për vitet e ardhshme./mxh
