Last Updated on 16/11/2026 by EL
Ish-kreu i Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro, është vënë nën hetim për dyshimet mbi pengimin dhe devijimin e hetimeve lidhur me atentatin mafioz ndaj gjyqtarit Paolo Borsellino, një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e luftës kundër mafies italiane.
Hetimi po drejtohet nga Prokuroria e Kaltanisetës dhe lidhet me shpërthimin e 19 korrikut 1992 në rrugën Via D’Amelio në Palermo, ku humbën jetën gjyqtari Borsellino dhe pesë efektivë të eskortës së tij. Në qendër të hetimeve është edhe misteri i zhdukjes së të ashtuquajturës “agjenda e kuqe”, që i përkiste gjyqtarit dhe ku dyshohet se mund të kishte shënime me rëndësi për hetimet kundër mafies.
Pak ditë më parë, karabinierët e njësisë ROS kryen kontrolle në banesat e De Gennaros, si dhe të disa personave të tjerë, mes tyre bashkëpunëtorë të tij dhe ish-inspektori i policisë Francesco Pacetto. Kontrollet përfshinë edhe bashkëpunëtorin e drejtësisë Salvatore Contorno, i njohur si “Totuccio”.
Sipas hipotezës së prokurorisë, De Gennaro dyshohet se ka ndikuar në drejtimin e hetimeve duke penguar Contornon të jepte dëshmitë e tij para prokurorëve. Gjithashtu, hetuesit dyshojnë se përmes një bashkëpunëtoreje të tij mund të jetë fshehur dokumentacion që lidhej me arrestimin e Contornos në vitin 1989.
Një nga misteret më të mëdha të atentatit
Hetimet për vrasjen e Borsellinos janë shoqëruar prej vitesh me dyshime për manipulim të provave dhe devijim të drejtësisë. Në fazën e parë të çështjes, bashkëpunëtori i drejtësisë Vincenzo Scarantino pranoi përgjegjësinë për vjedhjen e automjetit Fiat 126, i cili u përdor në atentat. Më vonë ai tërhoqi akuzat ndaj personave të tjerë të përfshirë, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si ishin zhvilluar hetimet.
Çështja çoi në hetime ndaj grupit hetimor të asaj kohe dhe në vitin 2024 u shpall parashkrimi për veprat penale që u atribuoheshin tre drejtuesve të lartë të policisë.
Tashmë, prokurorët po përpiqen të zbardhin rolin e personave të përfshirë në hetimet e dikurshme dhe, mbi të gjitha, të zbulojnë se çfarë ndodhi me “agjendën e kuqe” të Paolo Borsellinos.
Hetimi është ende në zhvillim dhe dyshimet ndaj De Gennaros përbëjnë aktualisht hipoteza të prokurorisë, jo fakte të provuara me vendim gjykate./et
