Gjiganti kinez i tregtisë elektronike, Alibaba, i listuar në Hong Kong dhe SHBA, tejkaloi pritshmëritë e analistëve për të ardhurat tremujore, teksa investimet në shërbimet e shpërndarjes një-orëshe të blerjeve sollën më shumë përdorues në aplikacionet e tij. Ndërkohë, divizioni i cloud-it raportoi rritje të fuqishme.
Aksionet e kompanisë të listuara në SHBA u rritën me 4% në tregtimin para hapjes së bursës.
Alibaba raportoi të ardhura prej 247.80 miliardë juanësh (34.97 miliardë dollarë) për tremujorin e dytë, mbi parashikimet e LSEG prej 242.65 miliardë juanësh.
Rezultatet vijnë në kohën e një beteje të kushtueshme në sektorin e “shitjeve të menjëhershme” në Kinë — të cilin Alibaba e quan “quick commerce”, ku lojtarët kryesorë po investojnë miliarda në shërbimet e dorëzimit brenda një ore për të fituar pjesë tregu.
Paralelisht, Alibaba po investon rëndë në inteligjencën artificiale, duke u pozicionuar si një prej liderëve të këtij sektori në Kinë.
Fitimi neto ra me 53% në 20.61 miliardë juanë, edhe pse rezultati ishte mbi pritshmëritë e analistëve.
Lufta e çmimeve në tregtinë e menjëhershme, e nxitur nga zbritjet agresive dhe subvencionet e Alibaba-s, JD.com dhe Meituan, ka gjeneruar humbje të mëdha financiare analistët e Nomura vlerësojnë mbi 4 miliardë dollarë humbje në të gjithë industrinë vetëm në tremujorin e dytë duke rritur shqetësimet e investitorëve për marzhet fitimprurëse.
Megjithëse Alibaba është më pak e ekspozuar krahasuar me rivalët e saj, kompania sheh potencial afatgjatë, duke parashikuar se tregtia e menjëhershme mund të shtojë deri në 1 trilion juanë në vlerën vjetore të mallrave të shitura (GMV) gjatë tre viteve të ardhshme./mxh
