Nxehtësia ekstreme po i ndryshon Alpet me një shpejtësi që edhe studiuesit me dekada përvojë thonë se nuk e kanë parë më parë. Që nga viti 2000, sipërfaqja e akullnajave në të gjithë vargmalin alpin është zvogëluar me 39%, ndërsa vera e vitit 2026 po jep sinjale edhe më shqetësuese.
Të dhënat vijnë nga “Karvani i Akullnajave” i Legambiente, monitorimi që organizata zhvillon çdo vit në majat kryesore të Alpeve së bashku me Fondacionin Italian të Glaciologjisë dhe CIPRA-n, degën italiane të Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Alpeve.
Vanda Bonardo, përgjegjëse për Alpet në Legambiente, sapo është kthyer nga monitorimi i akullnajës Vanoise, në Alpet franceze. Edhe në 2,500 metra lartësi, temperaturat janë aq të larta sa puna në terren zhvillohet me pantallona të shkurtra dhe mëngë të shkurtra.
Shifrat tregojnë përmasat e fenomenit. Që nga viti 2000, Alpet kanë humbur 39% të sipërfaqes së tyre të akullt. Në të gjithë botën, sipas World Glacier Monitoring Service, që publikoi një raport në “Nature”, që prej vitit 2000 janë shkrirë mesatarisht 273 miliardë tonë akull çdo vit. Kjo sasi është e barabartë me ujin që popullsia e botës konsumon në 30 vjet. Dhe ritmi po përshpejtohet: vetëm gjatë vitit 2025 u humbën 408 miliardë tonë akull.
“Akullnajat duken të palëvizshme dhe të heshtura”, shpjegon Bonardo. “Në të vërtetë na flasin, me zhurmën e ujit që rrjedh aty ku deri pak kohë më parë kishte akull dhe me zhurmën e çarjeve që e bëjnë ecjen gjithnjë e më të rrezikshme, duke detyruar mbylljen e shumë shtigjeve.”
“E kishim përdorur tashmë shprehjen annus horribilis për vitin 2022. Por një sezon si ky nuk e kisha parë kurrë gjatë gjithë karrierës sime. Forni ishte ndarë tashmë në tri pjesë, tani një pjesë e katërt po shkëputet. Ka një ngjyrë mes grisë dhe të zezës. Nuk e njoh më. Më kanë mbaruar edhe fjalët për të përshkruar një situatë kaq dramatike”, thotë Smiraglia.
Situata ka goditur edhe një nga simbolet e verës në Alpe: skijimin në akullnaja. Në mes të gushtit, Stelvio, i vetmi vend në Europë ku vazhdonte skijimi veror, u detyrua të mbyllte pistat për mungesë dëbore. Më parë e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në Cervino, ku kampionia italiane Federica Brignone publikoi një video të pistave gri, të shoqëruar me muzikën e filmit “Titanic”.
Paradoksi është se, ndërsa akullnajat tërhiqen, malet po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Impiantet e ngjitjes drejt Fornit vazhdojnë të funksionojnë dhe, sipas Smiraglia, janë të mbushura me turistë që kërkojnë freskinë e lartësive për t’i shpëtuar vapës.
Edhe dimri me reshje të bollshme në Alpet perëndimore nuk arriti ta frenonte fenomenin. Ekspertët shpresonin se shtresa e re e dëborës do të mbronte akullin gjatë verës, por monitorimi në Vanoise tregoi se nxehtësia e kishte shkrirë tashmë.
Gjatë gjithë verës, niveli ku temperatura arrin zero gradë është luhatur mes 4,000 dhe 5,000 metrave lartësi.
“Çfarë mund të prisnim?”, pyet Bonardo.
Për studiuesit, ajo që po ndodh në Alpe nuk është më thjesht tërheqja graduale e akullnajave. Është transformimi, brenda pak dekadash, i një peizazhi që për shekuj është konsideruar i pandryshueshëm.
Shumë akullnaja alpine tashmë janë zhdukur. Sipas Legambiente, deri në vitin 2050 pritet të zhduken të gjitha ato që ndodhen nën 3,500 metra lartësi. Calderone, e vetmja akullnajë e Apenineve, ishte e para që humbi statusin e akullnajës në vitin 2000. Në vitin 2022 u zhduk Flua në Monte Rosa, ndërsa një vit më vonë Trobio.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te humbja e akullit. Në vitin 2025, ajo që kishte mbetur nga akullnaja Birch në Zvicër u shemb mbi fshatin Blatten, i cili fatmirësisht ishte evakuuar më parë. Sot një tjetër fshat zviceran, Kandersteg, ndodhet nën kërcënimin e masivit gjithnjë e më të paqëndrueshëm Spitze Stei. Zona monitorohet vazhdimisht dhe planet e evakuimit janë gati, megjithëse aktualisht nuk parashikohet një shembje e menjëhershme.
Pamja më dramatike vjen nga akullnaja Forni në Itali. Claudio Smiraglia, profesor i glaciologjisë në Universitetin Milano-Bicocca, e studion atë prej 65 vjetësh. Nga Bormio, në 1,200 metra lartësi, ku temperatura pasdite ka arritur në 34 gradë, ai thotë se nuk e njeh më akullnajën që ka ndjekur gjatë gjithë karrierës së tij.
