Projektligji “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, i sponsorizuar nga përfaqësuesi demokrat, William Keating, i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan.
Me plot 12 nene, ai, mes tjerash, përcakton se “është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve të rajonit”.
Që prej viteve të para pas luftës në Kosovë, debatet për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve kanë kaluar në cikle: herë të nxehta, herë të ftohta, por nuk janë zhdukur kurrë nga skena politike e rajonit.
Në janar të vitit 2003, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Zoran Gjingjiq, deklaroi për “Der Spiegel” se “nëse shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin për pavarësi, Beogradi do të kërkojë një konferencë të re të Dejtonit për të përcaktuar kufijtë e rinj në Ballkan”.
Ky qëndrim, atëkohë, e irritoi Brukselin, i cili tha se koha kur kufijtë në Ballkan vendoseshin në konferenca, ka ikur, por ngjalli shpresa në Prishtinë.
“Ne do t’i vlerësonim modifikimet, dhe nëse kjo deklaratë [nga Gjingjiqi]është e sinqertë, ky është një hap pozitiv përpara”, tha kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.
Pas shpalljes së pavarësisë, debati më i madh për kufijtë u ndez në vitin 2018, kur presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, për herë të parë thanë hapur se ndryshimi i kufijve mund të ishte opsioni më realist për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndonjë propozim zyrtar nuk u bë publik, por, në terma të përgjithshëm, ideja parashihte që Serbia të merrte kontrollin mbi zonën me shumicë serbe në veri të lumit Ibër në Kosovë. Në këmbim, Lugina e Preshevës në jug të Serbisë, e banuar kryesisht me shqiptarë, do t’i bashkohej Kosovës.
“Vlerësoj se ka ardhur momenti që, definitivisht, në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të ndodhë korrigjimi i kufijve, që janë diku rreth 400 kilometra”, tha Thaçi në gusht të vitit 2018.
Ideja u prit me reagime të forta, si pro ashtu dhe kundër në Kosovë, Serbi, Evropë e më gjerë, ndërsa administrata e atëhershme e presidentit amerikan, Donald Trump, dukej e hapur ndaj saj.
“Qëndrimi ynë, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se, nëse dy palët mund ta zgjidhin çështjen mes tyre dhe arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë mundësinë e rregullimeve territoriale. Kjo nuk është diçka që na takon neve ta përcaktojmë”, tha në vitin 2018 këshilltari i atëhershëm i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, John Bolton.
Radio Evropa e Lirë pyeti Departamentin amerikan të Shtetit përmes emailit se cili është qëndrimi aktual i administratës amerikane, në lidhje me kufijtë dhe ndryshimet territoriale në Ballkan, por nuk mori përgjigje. Pyetjes së njëjtë nuk iu përgjigj as Ambasada amerikane në Prishtinë.
Muajt e fundit, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përmendur disa herë Kosovën, por gjithmonë në kontekstin e rolit të tij si ndërmjetës që ka parandaluar ose ndaluar konfliktet – përfshirë edhe atë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Truth Social më 15 qershor, ai ka shkruar se “gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”.
Në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në shkurt, Trump shkruante se “lidhjet midis popujve tanë janë të forta” dhe se pret me padurim që t’i zgjerojë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime.
Arsyeja përse projektligji që përfshin edhe çështjen e kufijve në Ballkan është paraqitur tani, mbetet e paqartë. Sipas vëzhguesve, ai duket të jetë nismë individuale e përfaqësuesit demokrat, William Keating, ndoshta si reagim ndaj shqetësimeve të votuesve të tij në Masaçusets, dhe jo pasojë e ndonjë zhvillimi të ri në rajon.
Meqë nuk ka bashkësponsorizues, Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, nuk pret që ai të ndikojë në politikën amerikane ndaj Ballkanit.
“Nuk mendoj se ky projektligj do të bëhet ligj. Edhe sikur të miratohej nga të dyja dhomat e Kongresit, supozoj se Trump do t’i vinte veto. Trump, sipas të gjitha gjasave, do ta injoronte atë, sepse kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, si dhe për shumë çështje të brendshme, ai është duke zgjeruar gjithnjë e më shumë autoritetin ekzekutiv dhe duke injoruar Kongresin”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Kupchan shton se qasja e Trumpit është pragmatike, e përqendruar në mundësinë për sukses diplomatik, më shumë sesa në kundërshtimin apo mbështetjen e idesë në parim.
“Nuk mendoj se administrata e Trumpit ka ndjenja të forta për njërën apo tjetrën anë të këtij debati. Mendoj se Trump është shumë i etur të shihet si paqebërës, si negociator, si njeri që arrin marrëveshje. Prandaj, nëse Prishtina dhe Beogradi do t’i drejtoheshin atij duke thënë se janë të interesuar për shkëmbim territoresh dhe se mendojnë se mund t’i normalizojnë marrëdhëniet, mendoj se administrata e tij do t’u thoshte: Shumë mirë, vazhdoni”, shprehet Kupchan.
Një mendim ndryshe ndan profesori i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, David Kanin. Sipas tij, ky projektligj nuk prezanton ndonjë politikë të re apo ndryshim thelbësor – ai thjesht rithekson qëndrimet e hershme të SHBA-së në lidhje me Ballkanin.
Kanin nuk beson se pikëpamjet e Boltonit në vitin 2018 janë më të rëndësishme për të kuptuar politikën aktuale të SHBA-së ndaj Ballkanit.
“John Bolton nuk ka pasur ndikim të veçantë në asgjë për një kohë të gjatë, dhe është nën akuza penale. Trump e ndjek atë. Asnjë deklaratë e tij nuk duhet konsideruar si politikë e SHBA-së. Është e lehtë të gjendet ndonjë deklaratë e mëhershme që përputhet ose nuk përputhet me atë që thuhet në projektligj, por, në fakt, kjo nuk ka rëndësi tani”, thotë Kanin për Exposenë.
Kanin mendon se ideja e ndryshimit të kufijve në rajon mund të jetë shumë e rrezikshme, siç është parë edhe gjatë debatit për shkëmbimin e territoreve më 2018, që ka shkaktuar protesta të mëdha dhe shqetësim në Perëndim.
