Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka shpërndarë mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili gjatë një konference për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orbán paralajmëroi masa të ashpra ndaj shtetasve të huaj që përbëjnë kërcënim për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në deklaratën e tij, Rubio theksoi se çdo vizitor që hyn në SHBA qoftë si student, turist, gazetar apo në çdo status tjetër duhet të respektojë ligjet dhe interesat kombëtare të vendit pritës.
“Nëse unë identifikoj një vizitor në vendin tonë, prania e të cilit përbën kërcënim për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë kombëtare, ne do t’ia heqim vizën”, deklaroi ai.
Sekretari amerikan shtoi se përfshirja në aktivitete që bien ndesh me interesat kombëtare të SHBA-së do të sjellë pasoja të menjëhershme. Sipas tij, në disa raste revokimi i vizës mund të ndodhë edhe përpara se një veprim i tillë të ekzekutohet, nëse autoritetet amerikane kanë informacion të besueshëm për qëllime të dëmshme.
“Në fakt, nëse do ta dinim se do ta bënit, ndoshta nuk do t’ju kishim dhënë vizën”, u shpreh Rubio gjatë konferencës për shtyp.
Ky qëndrim sinjalizon një qasje më të rreptë të administratës amerikane ndaj çështjeve të sigurisë kombëtare dhe kontrollit të vizave, duke theksuar se privilegji i hyrjes në SHBA shoqërohet me përgjegjësi të qarta ligjore dhe respektim të politikave të vendit.
Mesazhi i shpërndarë nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë vjen si një rikujtesë për të gjithë qytetarët që aplikojnë për vizë apo udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, se çdo shkelje apo veprim që cenon interesat amerikane mund të çojë në masa të menjëhershme administrative, përfshirë anulimin e vizës.
