Last Updated on 07/06/2026 by Monika
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka folur sot lidhur me procesin e zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediat në Kosovë, Hargreaves është shprehur se shpreson që pas procesit zgjedhor, partitë politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai.
Ambasadori tha se ai dhe diplomatë të tjerë janë pjesë e ekipit të vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian, i njohur si “Diplo watch”, i cili po monitoron zhvillimet në të gjithë Kosovën.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe renditjen e proceseve institucionale, ai tha se kjo mbetet përgjegjësi e partive politike.
“Kjo i takon tërësisht partive politike ta zgjidhin mes vete. Unë thjesht mendoj se Kosova ka nevojë për një Kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, u shpreh ambasadori britanik./MXH
