Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, ka komentuar për herë të parë incidentet e fundit në protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, ku u shfaqën mesazhe dhe simbole me përmbajtje anti-izraelite. Në një intervistë të detajuar për gazetarin Arbër Hitaj, diplomatja i cilësoi këto shfaqje si “shumë të pafata” dhe paralajmëroi për rrezikun e nxitjes së antisemitizmit përmes teorive të konspiracionit.
Pasi vlerësoi natyrën demokratike të protestave në Shqipëri, Peleg shprehu shqetësim të thellë për mënyrën se si çështjet e brendshme po përdoren për të sulmuar një komunitet të tërë.
“Kur pashë posterat ku kryeministri Rama paraqitej si hebre fetar, me simbole hebraike, më kujtoi elementë që kemi parë në Gjermaninë e viteve ’30, kur problemet e brendshme të vendit i faturoheshin pakicës hebraike,” u shpreh ambasadorja, duke hedhur poshtë me forcë narrativat e përhapura: “Është lajm i rremë që Izraeli apo hebrenjtë po blejnë Shqipërinë apo territore shqiptare.”
Sipas saj, pas këtyre veprimeve qëndron një grup shumë i vogël njerëzish dhe aktorë me agjenda specifike që synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të cenojnë ndjenjën e sigurisë për turistët izraelitë.
Flotiljet drejt Gazës: “Më shumë spektakël sesa mision humanitar”
E pyetur mbi flotiljen e ndaluar që synonte të thyente bllokadën e Gazës, pjesë e së cilës ishte edhe një aktivist shqiptar, ambasadorja Peleg mbajti një qëndrim prerë, duke e cilësuar nismën si një provokim të pastër politik të organizuar nga aktivistë profesionistë.
Sipas diplomates, këto anije nuk transportojnë ndihma reale. Ajo deklaroi se në to shpesh gjenden “drogëra të lehta dhe prezervativë” dhe se qëllimi i vetëm i tyre është krijimi i tensioneve artificiale dhe marrja e publicitetit. Peleg theksoi se për dërgimin e ndihmave legjitime humanitare ekzistojnë rrugë të tjera zyrtare dhe të sigurta.
Gjatë intervistës, Peleg bëri një radiografi të situatës aktuale të sigurisë në rajon, duke u ndalur në tre frontet kryesore:
E ardhmja e Gazës dhe fati i “Zgjidhjes me dy shtete”
Ambasadorja konfirmoi se diskutimet për një zgjidhje me dy shtete janë ngrirë praktikisht pas sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023. Ajo nënvizoi se asnjë plan rindërtimi apo administrimi ndërkombëtar (përfshirë propozimet amerikane ku kontribuojnë Shqipëria dhe Kosova) nuk mund të funksionojë pa u dobësuar dhe larguar plotësisht Hamasi nga pushteti.
Mbi krizën ushqimore: Peleg mohoi raportet për bllokim të ndihmave, duke thënë se furnizimet hyjnë rregullisht, por problemet vijnë nga Hamasi, i cili dhunon qytetarët e vet për të kontrolluar depot e ushqimit për përfitime politike.
Sinjalet e shpresës nga Libani
Ndryshe nga Gaza, ambasadorja u shpreh optimiste për zhvillimet politike në Liban. Ajo kujtoi fëmijërinë e saj kur kufiri quhej “gardhi i mirë” dhe vuri në dukje se sot në qeverinë, parlamentin dhe mediat libaneze po dëgjohen gjithnjë e më shumë zëra që kërkojnë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe eliminimin e Hezbollahut.
Rolit destabilizues i Iranit
Në qendër të të gjitha konflikteve rajonale, Peleg vendosi regjimin e Teheranit, duke e cilësuar si sponsorin kryesor të terrorizmit, i cili shtyn Hezbollahun drejt sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe dronë në veri të Izraelit. Ajo përmendi gjithashtu se negociatat e administratës amerikane nën Presidentin Trump po tentojnë të adresojnë këtë kërcënim ekzistencial.
Mesazhi për Shqipërinë
Në mbyllje, ambasadorja izraelite bëri thirrje që shoqëria shqiptare të ruajë vlerat e saj më të çmuara: tolerancën dhe mikpritjen historike, duke mos lejuar që lajmet e rreme të prodhuara nga inteligjenca artificiale ose agjendat e fshehura të helmojnë miqësinë mes dy popujve.
