Ideja e artikuluar nga analisti Mustafa Nano për një dorëheqje të mundshme të kryeministrit Edi Rama, pas tetë ditësh proteste në bulevard, kanë sjellë një reagim të ashpër dhe me tone mjaft personale nga ana e kreut të qeverisë. Gjatë një takimi në Elbasan, Rama ka sulmuar ashpër ish-mbështetësin e tij, duke zbuluar prapaskenat se si Nano i kishte kërkuar postin e ambasadorit në Zvicër.
Mustafa Nano, një nga gazetarët që mbështeti rrëzimin e qeverisë Berisha dhe ardhjen e socialistëve në pushtet, deklaroi se kryeministri duhet të mendojë largimin e tij nga detyra në mënyrë të kontrolluar, duke i hapur rrugë një lideri të ri.
“Këshilla ime është vetëm një: të mendojë largimin. Jo largimin me idenë që pas meje të bëhet qameti, por një ikje normale, të përcjellë stafetën, të organizojë zgjedhje brenda PS, të zgjidhet një lider i ri dhe ky pastaj njatjeta,” është shprehur Nano.
Më tej, analisti shtoi me ironi se kryeministri mund të largohej duke përdorur si justifikim moskuptimin nga ana e popullit: “Unë me mendjen time jam me qindra vite para, ju jeni këtu në vitin 2030.”
Rama Reagon nga Elbasani: “Erdhi në zyrë e u shtri në kolltuk”
Propozimi i Nanos nuk ka kaluar pa u komentuar nga Edi Rama. Gjatë një fjalimi të mbajtur përpara strukturave socialiste, kryeministri nuk ka kursyer detajet nga takimet private me analistin, duke e akuzuar atë për oportunizëm.
“Na tregojnë neve tradhtarët, gazetarë dhe analistë që paguhen me lekë në dorë. Nuk deklarojnë pagat e tyre dhe i bëjnë pushimet në botë. T’i bëjnë ku të duan, por moral mua dhe Partisë Socialiste nuk mund të na bëjnë.
Moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri në kolltuk dhe tha: ‘Nuk kam më fuqi të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. Mirë, i thashë, të shohim si mund ta bëjmë këtë. Kemi pasur shkrimtarë e poetë ambasadorë, por Muçi nuk është Faik Konica.
Muçi i shkretë shkoi në Zvicër dhe nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe me një sekretare. Nuk bëri një punë për vendin e vet dhe e la në mes detyrën. Kthehet mbrapsht dhe më thotë mua si duhet ta bëj detyrën.
Muçi tregon oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë në zyrën time. Por ti, mor Muç, spiun i Sigurimit je? Ku e di ti se kush hyn në zyrën time?”, deklaroi Rama gjatë fjalimit të tij./a.d
