Last Updated on 15/09/2026 by EL
Marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e kinematografisë kanë qenë në fokus të vizitës së ambasadores së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Ambasadorja Pang Chunxue u prit në ambientet e institucionit, ku u njoh nga afër me pasurinë e trashëgimisë filmike shqiptare, si dhe me koleksionin e filmave kinezë që ruhen në fondet e Arkivit të Filmit, një pasuri që dëshmon edhe lidhjet e hershme kulturore mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, ambasadorja kineze u takua edhe me regjisorin Eljan Tanini. Në takimin mes përfaqësuesve të kulturës dhe kinematografisë u shkëmbyen mendime mbi mundësitë konkrete për forcimin e bashkëpunimit filmik Shqipëri–Kinë, përmes projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit vlerëson se koleksioni i filmave kinezë i ruajtur në Shqipëri përbën jo vetëm një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë filmike, por edhe një urë lidhëse kulturore mes dy popujve. Filmat e ruajtur në arkiv dëshmojnë interesin dhe shkëmbimet e hershme kulturore e artistike mes Shqipërisë dhe Kinës.
Vizita e ambasadores Pang Chunxue vjen në kuadër të interesit për të nxitur më tej shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes dy vendeve. Në këtë drejtim, kinematografia shihet si një nga fushat përmes së cilës mund të krijohen ura të reja komunikimi dhe të promovohen trashëgimia, kultura dhe krijimtaria e dy vendeve.
Nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit u shpreh gatishmëria për zhvillimin e bashkëpunimeve të reja me palën kineze, duke paralajmëruar iniciativa të përbashkëta që synojnë të sjellin më pranë publikut shqiptar dhe atij kinez pasuritë e dy trashëgimive kinematografike.
Bashkëpunimi në fushën e filmit mund të përfshijë shkëmbime kulturore, prezantime të filmave, projekte të përbashkëta dhe aktivitete që promovojnë historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës përmes artit të shtatë.
Institucionet shqiptare dhe pala kineze pritet që në vijim të konkretizojnë mundësi të reja bashkëpunimi, duke e shndërruar trashëgiminë filmike të ruajtur në Arkivin e Filmit në një pikënisje për projekte të reja kulturore. /e.xh/
