Last Updated on 20/11/2026 by EL
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Kukës, ku një fërkim i thjeshtë pasqyrash mes dy bashkëfshatarësh ka përshkallëzuar në përplasje automjetesh, rrëmbim personi dhe dhunë fizike, sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Eraldo Harlicaj.
Sipas raportimit të gazetarit Eraldo Harlicaj, ngjarja nisi kur Valdet D., duke udhëtuar me makinë, pati një fërkim pasqyrash me Sadi E., të dy të njohur me njëri-tjetrin dhe bashkëfshatarë. Pas fërkimit, mes tyre pati sharje dhe ofendime të ndërsjella.
Më pas, policia ka ndaluar Valdet D. Megjithatë, Sadi E. ka telefonuar xhaxhain e tij, Saminë, dhe të dy së bashku kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë përplasur makinën e Valdetit.
Sipas të njëjtit burim, dy personat e kanë marrë Valdetin nga duart e dy policëve të zonës (SPZ), e kanë futur me forcë në një automjet tip ML të bardhë, e kanë rrahur rëndë në pyll dhe më pas e kanë lënë aty, duke u kthyer drejt Kukësit.
Për neutralizimin e autorëve është dashur ndërhyrja e forcave të specializuara të policisë, pavarësisht se Valdet D. ndodhej fillimisht nën mbikëqyrjen e dy efektivëve.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia për rastin, i cili pritet të zbardhet në vijim.
