Last Updated on 25/06/2026 by EL
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një miting me tone të forta elektorale në Uashington, gjatë hapjes së “Great American State Fair”, panairit që shënon nisjen e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
“Amerika është rikthyer dhe ky është vetëm fillimi. Fati i Amerikës është të jetë kombi më i madh që ka parë ndonjëherë ky planet”, deklaroi Trump para mijëra mbështetësve të mbledhur në National Mall.
Aktiviteti, i konceptuar si një panair tradicional amerikan me ekspozita të shteteve, lodra argëtuese, rrotë panoramike dhe rodeo, u zhvillua mes polemikave pasi disa artistë të ftuar refuzuan të performonin. Pas bojkotit, Trump njoftoi se ceremonia do të shoqërohej me muzikën e përzgjedhur nga stafi i tij dhe jo nga artistët që, sipas tij, “ankohen vazhdimisht”.
Në skenë performuan këngëtarët Lee Greenwood dhe Christopher Macchio, të njohur për pjesëmarrjen e tyre të shpeshtë në aktivitetet e Trump. Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte kalimi mbi turmë i bombarduesve B-2 dhe avionëve luftarakë F-35, që u shoqërua me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Ndërkohë, disa shtete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Massachusetts, Illinois, Oregon, Washington dhe Connecticut, refuzuan të merrnin pjesë në aktivitet, duke argumentuar se festimet kishin marrë një karakter të qartë politik dhe partiak.
Sipas sondazheve të fundit, amerikanët mbeten të ndarë për mënyrën se si po organizohen festimet e 250-vjetorit të pavarësisë. Vetëm 40% e qytetarëve shprehen krenarë për këtë përvjetor, ndërsa diferencat mes republikanëve dhe demokratëve janë të theksuara.
Mitingu vjen në një moment kur Trump po përballet me vështirësi në sondazhe, kryesisht për shkak të luftës me Iranin dhe rritjes së çmimeve të karburanteve. Sipas një ankete të Reuters/Ipsos, vetëm një në katër amerikanë beson se ndërhyrja ushtarake kundër Iranit ia vlejti, ndërsa mbështetja për presidentin ka pësuar rënie.
Megjithatë, baza e tij elektorale vazhdon të mbetet besnike. Gjatë aktivitetit nuk munguan kapelat me sloganin “Trump 2028”, flamujt amerikanë dhe thirrjet në mbështetje të presidentit.
Në fjalimin e tij, Trump premtoi paqe në Lindjen e Mesme, ulje të çmimit të benzinës, forcim të kontrolleve kufitare dhe vazhdimin e politikave konservatore. Ai deklaroi se administrata e tij po arrin “fitore pas fitoreje” dhe sulmoi kundërshtarët politikë, duke theksuar se SHBA-ja ka mposhtur më parë “fashizmin dhe komunizmin” dhe do të jetë në gjendje ta bëjë sërish.
Aktiviteti u shndërrua në një demonstrim force politike për Trump, i cili kërkoi të mobilizojë mbështetësit e tij në një periudhë kur përballet me kritika në rritje dhe me sfida të reja në opinionin publik amerikan.
/et
