Firma amerikane e kapitalit privat, Carlyle Group, ka arritur marrëveshje për t’i blerë shumicën e aseteve të huaja të Lukoilit, të vlefshme rreth 22 miliardë dollarë. Kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi u detyrua t’i shesë këto asete për shkak të sanksioneve amerikane. Kjo vjen në një moment kur negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. As Lukoil dhe as Carlyle nuk treguan çmimin e shitjes së aseteve. Tani pritet miratimi nga agjencia amerikane që administron sanksionet.
Thesari i SHBA-ve i kishte dhënë Lukoilit afat deri më 28 shkurt për ta shitur portofolin e tij global.
“Qasja e Carlyle ndaj LUKOIL International do të fokusohet në sigurimin e vazhdimësisë operative, ruajtjen e vendeve të punës, stabilizimin e bazës së aseteve dhe mbështetjen e performancës së sigurt e të besueshme në të gjithë portofolin, duke sjellë mbikëqyrje të dedikuar dhe kapacitete operimi ndërkombëtare”, tha firma amerikane në një deklaratë.
Lukoil tha në një deklaratë se ishte pajtuar me Carlyle për ta shitur njësinë e saj LUKOIL International, e cila mbikëqyr asetet e huaja të kompanisë. Këto përfshijnë operacione në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë, Azinë Qendrore dhe Meksikë, dhe variojnë nga aksione kontrolluese në fushën e madhe naftëmbajtëse West Qurna 2 në Irak, deri te rafineritë në Bullgari dhe Rumani.
Rusia, e cila përbën rreth një të dhjetën e prodhimit botëror të naftës, është përballur me një sërë sanksionesh ndaj kompanive të saj kryesore qëkurse presidenti Vladimir Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Në tetor, këto sanksione u zgjeruan për të përfshirë Lukoilin dhe prodhuesin më të madh rus të naftës, Rosneft, si pjesë e përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për ta detyruar Moskën të ulet në tavolinën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
E themeluar në Uashington, Carlyle është firmë globale investimesh me 474 miliardë dollarë asete dhe me dekada përvojë në investimin dhe operimin e aseteve energjetike në tregjet ndërkombëtare./kb
