Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, ka arritur një tjetër moment historik në karrierën e tij të pasur. Në ndeshjen e fundit të Kupës kundër Grencenit, luftëtari kuqezi regjistroi paraqitjen e 300-të me fanellën e Grashopersit, duke e vulosur përfundimisht emrin e tij si një nga ikonat më të mëdha të klubit zviceran.
Ky moment i veçantë ka shërbyer për të rikthyer në vëmendje disa nga episodet më epike që kanë shënjuar rrugëtimin e tij, ku spikat gjithmonë shpirti i sakrificës, karakteri i hekurt dhe lidhja e pandashme me ngjyrat e ekipit.
Një nga momentet më drithëruese mbetet padyshim ai i muajit maj, gjatë një sfide mbijetese kundër Aaraut. Në minutat e kohës shtesë, Abrashi mori një goditje të rëndë në fytyrë nga kundërshtari Obekser, i cili u ndëshkua menjëherë me karton të kuq.
Ndonëse mjekët u detyruan t’i qepin plagën e hapur në kokë direkt në mes të fushës, kapiteni nuk u dorëzua. Ai u rikthye në lojë i fashuar duke ndihmuar ekipin, ndërsa pas ndeshjes doli para kamerave me fytyrën e përgjakur duke deklaruar hapur dashurinë për klubin.
Por rrugëtimi i tij ka pasur edhe momente mjaft komike dhe të pazakonta. Në gushtin e vitit 2012, kur ishte vetëm 22 vjeç, ai shënoi golin e fitores 2-0 në transfertën ndaj Lucernit. Gjatë festës së shfrenuar, shoku i skuadrës, Toko, i kërceu nga prapa duke i shkaktuar një lëndim në këmbë që e detyroi të braktiste fushën e lojës në mes të takimit. Pavarësisht këtij incidenti absurd, ai e kaloi gjithçka me sportivitet të plotë.
Si një lider i vërtetë, shqiptari ka ditur të marrë frenat e skuadrës edhe në momentet më të errëta. Në pranverën e vitit 2024, pas një humbjeje të rëndë 3-0 përballë Jang Bojsit, rënia nga kategoria dukej si një makth i pashmangshëm. Kapiteni mblodhi lojtarët në fushë dhe me tone të ashpra kërkoi që askush të mos dorëzohej në asnjë moment.
Skenari rezultoi i suksesshëm. Skuadra siguroi mbijetesën në dramën e ndeshjeve “play-off” kundër Tunit, me Abrashin që e cilësoi atë shpëtim si arritjen më të madhe psikologjike në karrierë. Gëzimi i asaj mbijetese u dyfishua kur, vetëm një javë më vonë, ai mori ftesën e shumëpritur nga Shqipëria për të luajtur në Kampionatin Evropian të vitit 2024 në Gjermani.
Mesfushori ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe me trofe. Në maj të vitit 2013, ai fitoi Kupën e Zvicrës duke mposhtur Bazelin me penallti, çka mbetet ende trofeu i fundit i madh për klubin e tij. Pa harruar edhe titullin kampion në Bundesligën e 2-të gjermane, të fituar me Fraiburgun në vitin 2016.
Përtej këtyre, ai është sot “Mbreti” i derbit. Me 32 përballje të luajtura kundër rivalëve të përbetuar të Zyrihut, si dhe me 11 kartonë të verdhë dhe 1 të kuq, ai mban rekordin absolut mes lojtarëve aktivë. Për Abrashin, derbi është një sfidë mbi të gjitha të tjerat, një ndeshje pas së cilës fitorja festohet pa fund në rrugët e qytetit, ndërsa humbja e detyron të mbyllet në shtëpi./MXH
