Nga Leonard Veizi
Kur An-Margret erdhi në jetë në vitin 1941, askush nuk mund ta parashikonte se ajo do të bëhej një nga figurat që do t’i jepte ritëm dhe tension një dekade të tërë. Por Hollywood-i do ta kuptonte shumë shpejt se nuk kishte të bënte me një prani të zakonshme…
…Jo çdo yll i viteve ’60 ishte produkt i industrisë; disa ishin devijim prej saj. Sepse në një industri që di të prodhojë famë, por rrallë personalitet, Ann-Margret ishte hyrja në skenë e një force që do të sfidonte vetë mekanizmin.
Hollywood-i i viteve ’60 ishte një industri që prodhonte iluzione me ritëm industrial. Por rrallëherë ndodhte që një figurë ta tejkalonte mekanizmin dhe ta dominonte atë. An Margret ishte një nga ato përjashtime. Nuk ishte thjesht prezencë; ishte tension, ritëm, shpërthim. Një trup që vallëzonte sikur sfidonte fizikën dhe një ekran që dukej i vogël për energjinë që mbante.
Në një kohë kur kinemaja po kërkonte identitet mes traditës dhe rebelimit, ajo u shndërrua në urë lidhëse. Jo rastësisht, kulmi i saj përkon me filma si “Viva Las Vegas”, ku përballë kishte Elvis Preslin, një tjetër simbol i një kulture që po përmbyste normat. Por ndryshe nga shumë yje të lidhur pas një partneri ikonë, An Margret nuk u zbeh kurrë; ajo nuk ishte satelit, ishte qendër graviteti.
Edhe në “The Cincinnati Kid”, përtej shkëlqimit dhe ritmit, ajo tregoi një dimension tjetër: disiplinë, kontroll dhe një pjekuri që shpesh i mungonte figurave të ndërtuara mbi karizëm të pastër. Ky ishte momenti kur u bë e qartë se nuk kishim të bënim vetëm me një fenomen pop, por me një aktore që kuptonte zanatin.
Sot, kur industria prodhon figura të konsumueshme dhe të zëvendësueshme me shpejtësi, rasti i An Margret duket pothuajse anakronik. Ajo vjen nga një kohë kur yjet nuk ishin thjesht imazh, por ndikim; kur prania në ekran ishte një akt autoriteti, jo thjesht marketingu.
Në 85-vjetorin e lindjes së saj, pyetja nuk është çfarë përfaqëson ajo për të shkuarën, por pse mungojnë figura të tilla sot. Sepse An Margret nuk ishte vetëm një yll i viteve ’60. Ajo ishte prova se, edhe në një industri që fabrikon mite, ndonjëherë lind diçka që nuk fabrikohet dot.
