Last Updated on 21/09/2025 by adminfjala
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, ndërsa Franca dhe disa vende të tjera perëndimore pritet ta bëjnë ditën e hënë, n një hap që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Izraeli dhe kundërshtim të hapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka quajtur këtë vendim si një “shpërblim për terrorizmin monstruoz të Hamasit”, ndërsa SHBA ka deklaruar se njohja e Palestinës do të përforconte pozitat e Hamasit dhe do ta vështirësonte arritjen e një armëpushimi në Gaza.
Çfarë nënkupton njohja e Palestinës si shtet?
Palestina është një shtet që ekziston në mënyrë të pjesshme – me përfaqësi diplomatike në shumë vende dhe pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike – por pa kufij të njohur ndërkombëtarisht, pa kryeqytet të përcaktuar dhe pa ushtri. Autoriteti Palestinez, i krijuar pas marrëveshjeve të Oslos në vitet ’90, nuk ka kontroll të plotë mbi territorin apo popullsinë. Rripi i Gazës, aktualisht në luftë, mbetet nën bllokadë dhe kontroll ushtarak nga Izraeli.
Për shkak të kësaj situate të paqartë, njohja e Palestinës është kryesisht një akt simbolik, më shumë politik dhe moral sesa praktik. Por simbolika është e fuqishme. Në një fjalim në OKB këtë korrik, ish-ministri i Jashtëm britanik David Lammy theksoi se Britania ka një “përgjegjësi të veçantë” për zgjidhjen me dy shtete, duke përmendur Deklaratën e Balfour-it të vitit 1917, në të cilën Britania shprehte mbështetjen për krijimin e një “atdheu kombëtar për popullin hebre” në Palestinë, por me kusht që kjo të mos dëmtonte të drejtat e komuniteteve jo-hebreje në atë territor.
Shtetet e Bashkuara janë shprehur qartë kundër njohjes së shtetit të Palestinës, duke theksuar se kjo do të përforconte Hamasin dhe do të nxisë një reagim të ashpër nga Izraeli, përfshirë aneksimin e mëtejshëm të territoreve palestineze. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një konference të përbashkët me Netanyahu më 15 shtator, deklaroi se “njohja ndërkombëtare e Palestinës është një shpërblim për terrorizmin”, duke iu referuar sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi. Sipas Rubios, SHBA i ka paralajmëruar aleatët se njohja do të komplikonte përpjekjet për armëpushim dhe paqe në rajon. m.p.
