Në pamje të parë, sulmi që Irani ndërmori së fundmi ndaj Jordanisë nuk dukej se kishte lidhje me vizitën e presidentit të Libanit, Joseph Aoun, në Washington, ku ai pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump këtë martë, 21 korrik.
Megjithatë, koha kur ndodhi sulmi ka ngritur dyshime se Teherani po dërgonte një mesazh të qartë për zhvillimet diplomatike që po marrin formë në Liban.
Jordania është një nga aleatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Në territorin e saj ndodhen mijëra ushtarë amerikanë dhe baza të rëndësishme ajrore që përdoren për operacionet ushtarake dhe mbrojtjen rajonale kundër raketave dhe dronëve iranianë. Ndryshe nga disa vende të Gjirit, si Arabia Saudite, Jordania nuk ia ka ndaluar SHBA-ve përdorimin e territorit dhe hapësirës së saj ajrore për operacione kundër Iranit, edhe pse vetë nuk merr pjesë drejtpërdrejt në sulme.
Sipas analizës, duke goditur Jordaninë, Irani po përpiqet të tregojë se është ai që kontrollon ritmin e përshkallëzimit të konfliktit. Kjo mund të sinjalizojë edhe një ndryshim të strategjisë së Teheranit, i cili nuk dëshiron më të përgjigjet vetëm në mënyrë proporcionale, por të marrë vetë iniciativën dhe të mos lejojë që Washingtoni të diktojë zhvillimet.
Kjo strategji shpjegon edhe zgjerimin e objektivave të sulmeve iraniane. Teherani ka goditur objekte energjetike, përfshirë një impiant për shkripëzimin e ujit dhe një central energjetik në Kuvajt, ndërsa ka paralajmëruar se do të sulmojë infrastrukturën energjetike të vendeve të tjera nëse SHBA-të godasin objektet energjetike iraniane.
Edhe pse Irani pretendon se kryen vetëm “sulme kirurgjikale”, në praktikë ai ka goditur vazhdimisht infrastrukturë energjetike dhe objektiva civile në Arabinë Saudite, Katar, Kuvajt dhe Bahrein. Teherani i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar dëmet ndaj civilëve si “pasoja anësore”, megjithëse provat fotografike tregojnë të kundërtën.
Nuk është hera e parë që Irani sulmon Jordaninë që nga nisja e valës së fundit të përplasjeve. Por, ndërsa në qershor u regjistruan vetëm dy sulme, goditjet e përsëritura gjatë këtij muaji tregojnë një strategji më të gjerë për të hapur fronte të reja përtej Gjirit Persik dhe kufijve të tij.
Kjo lidhet edhe me deklaratat e zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët kanë paralajmëruar se vendet që ndihmojnë SHBA-të në sulmet ndaj Iranit do të paguajnë një çmim dhe duhet të largojnë trupat amerikane nga territori i tyre.
Përveç konfliktit për Ngushticën e Hormuzit dhe programit bërthamor, Irani po zhvillon edhe një betejë diplomatike për të ruajtur ndikimin në vendet që i konsideron pjesë të sferës së tij të influencës. Dy rastet më të rëndësishme janë Iraku dhe Libani.
Në Irak, kryeministri Ali al-Zaidi, i cili mori detyrën në muajin maj, ka përshpejtuar përpjekjet për të integruar milicitë shiite në ushtrinë shtetërore. Kjo nismë kishte nisur edhe nga paraardhësi i tij, Mohammed Shia al-Sudani, por pa rezultate të mëdha.
Gjatë takimit me Donald Trump javën e kaluar, Al-Zaidi nënshkroi marrëveshje ekonomike dhe premtoi se deri më 30 shtator, kur pritet të përfundojë tërheqja e forcave amerikane nga Iraku, çdo grup i armatosur që nuk është pjesë e ushtrisë do të çarmatoset.
Edhe pse nuk është e sigurt nëse ai do ta realizojë këtë premtim, fakti që e bëri publikisht ka shtuar shqetësimin e Iranit.
Fronti tjetër, edhe më i rëndësishëm për Teheranin, është Libani. Qeveria libaneze ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me Izraelin, të ndërmjetësuar nga SHBA-të, ka pranuar një plan pilot për tërheqjen e forcave në jug të vendit dhe ka nisur vendosjen e ushtrisë në zona të reja.
Këto zhvillime tregojnë se Bejruti po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë të pavarur nga Hezbollahu.
Për Iranin, kjo është një goditje, pasi dobëson përpjekjet e tij për ta lidhur çdo marrëveshje me SHBA-të me kushtet që ai dëshiron për Libanin.
Në takimin me Trump, presidenti Joseph Aoun pritet të kërkojë garanci sigurie për Libanin, të sigurojë zbatimin e plotë të marrëveshjes me Izraelin dhe të kërkojë një afat konkret për tërheqjen graduale të trupave izraelite.
Po ashtu, ai do të përpiqet të bindë presidentin amerikan se çështja e Libanit është pjesë e pandashme e konfliktit më të gjerë me Iranin dhe se stabilizimi i Libanit mund të përbëjë një sukses të rëndësishëm diplomatik për Washingtonin.
Aoun mbërrin në SHBA me mbështetje të gjerë nga vendet arabe. Një element i rëndësishëm është koordinimi gjithnjë e më i madh me presidentin sirian Ahmad al-Sharaa, i cili konsiderohet një nga aleatët më të afërt të Trump në rajon.
Objektivi kryesor i presidentit libanez është të bindë Trump që ta lejojë Libanin të merret vetë me çarmatimin e Hezbollahut, në mënyrë që vendi të mos rrëshqasë në një luftë civile.
Kjo vjen pasi presidenti sirian Ahmad al-Sharaa refuzoi propozimin e Trump që Siria të merrte përsipër çështjen e Hezbollahut. Pas këtij refuzimi, Trump sinjalizoi se synon t’i kërkojë Izraelit të tërhiqet edhe nga territoret që ka pushtuar në Siri.
Aoun dëshiron që e njëjta qasje të ndiqet edhe në Liban, duke krijuar hapësirë për negociata me Izraelin dhe duke nisur një proces që gradualisht do ta largonte vendin nga ndikimi iranian, edhe nëse Hezbollahu do të vazhdonte përkohësisht të mbante armët.
Ky drejtim shqetëson Iranin, i cili nuk ka më kontroll të plotë mbi vendimmarrjen e qeverisë libaneze. Kjo u reflektua edhe në deklaratat e dy deputetëve të Hezbollahut javën e kaluar, të cilët akuzuan presidentin Aoun se po përçan vendin dhe paralajmëruan se marrëdhëniet e tyre me qeverinë janë ndërprerë pothuajse plotësisht.
Megjithatë, ata nuk kërcënuan me përplasje të armatosur me ushtrinë libaneze.
Sipas analizës, pavarësia gjithnjë e më e madhe politike e Libanit përbën një provë të rëndësishme për Iranin, sidomos pasi ai ka humbur tashmë ndikimin në Siri.
Pikërisht për këtë arsye, Teherani po sinjalizon se nuk do të pranojë zhvillime diplomatike në rajon që e lënë jashtë vendimmarrjes. Ashtu si në Ngushticën e Hormuzit, Irani po tregon se e konsideron Lindjen e Mesme një teatër të vetëm strategjik. Çdo përpjekje për të zgjidhur të ardhmen e Libanit pa pëlqimin e tij, apo për të çarmatosur grupet e mbështetura prej tij në Irak, mund të shoqërohet me përshkallëzim të tensioneve në zona të tjera, si Jordania, Kurdistani irakian apo Jemeni./mxh
