Andale Media do të ketë së shpejti një kapitull edhe në Kosovë. Themeluesja Dalina Buzi foli për herë të parë më konkretisht për planet e zgjerimit të platformës multimediale, duke treguar se Kosova jo vetëm është në plan, por në fakt duhej të kishte ndodhur më herët.
E ftuar në emisionin “Canapé” në T7, Buzi u pyet nga Shpend Lipa nëse Andale do të jetë edhe në Kosovë. Përgjigjja ishte e drejtpërdrejtë.
“Unë i jam shumë falënderuese Kosovës. Të rinjtë në Andale e kanë kuptuar se publiku këtu është shumë i dashur. Edhe këngëtarë të Shqipërisë e thonë që në Kosovë publiku është shumë i dashur. Absolutisht që Kosova është në planet e mia, [madje]është vonuar pak, sepse [Andale] duhet të ishte në vitin e dytë [të transmetimit në Kosovë],” u shpreh ajo.

Po çfarë e ka vonuar?
Sipas Buzit, arsyeja lidhet me rritjen shumë të shpejtë të Andale, e cila ndodhi përpara se struktura e brendshme e biznesit të ishte gati për ta përballuar.
“Ne na ndodhi një shpërthim shumë i madh që në muajin e tretë dhe kjo nuk është shumë mirë për biznesin, sepse nuk je gati – nuk je gati me strukturën e brendshme, nga ana administrative, që të përballosh këtë ‘shpërthim’.”
Ajo shtoi se aktualisht ekipi është zgjeruar dhe puna po përqendrohet te forcimi i pjesës administrative, në mënyrë që ajo të ecë me të njëjtin ritëm me programet që publiku sheh në ekran.
“Për momentin ne kemi [shtuar staf]dhe po përpiqemi që ana administrative dhe programet që shihni në ekran të ecin në një vijë paralele. Kështu që, në momentin që bëjmë këto lëvizjet që janë normale për biznesin, do të vijmë në Kosovë.”
Dhe, nga sa tha Dalina, pritja nuk do të jetë shumë e gjatë.
“Por nuk do të vonohemi shumë, sepse Kosova është shumë e nevojshme.”
Si kontekst, rritja për të cilën flet Buzi është reflektuar edhe në shifrat e platformës. Sipas të dhënave të SocialBlade për periudhën verën 2026, Andale Media u rendit e dyta mes dhjetë mediave shqiptare të monitoruara në YouTube, me një mesatare prej 2.04 milionë shikimesh në ditë.
Andale nisi prodhimet e rregullta në nëntor 2024 dhe është ndërtuar si një rrjet multimedial digital-first, me formate të ndryshme dhe me një pjesë të rëndësishme të investimit te moderatorët e rinj./k.m
