Last Updated on 01/06/2026 by Kesjana
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, me financim të Ambasadës Gjermane, ka zhvilluar një anketim rreth sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në prill të këtij viti.
Në anketimin e zhvilluar, një pikë e veçantë i është dedikuar besimit të qytetarëve te Struktura e Posaçme Antikorrupsion.
Sipas anketimit, 72% e të anketuarve kanë opinion të përgjithshëm pozitiv për SPAK-un. Ndërsa mbështetja për luftën e SPAK-ut kundër krimit të organizuar në anketimin e realizuar është 65 % dhe mbështetja për luftën ndaj korrupsionit në nivel të lartë 56.5%.
“Opinioni i përgjithshëm për SPAK-un është pozitiv ose disi pozitiv (pothuajse 72%). Mbështetja ngushtohet për luftën e SPAK-ut kundër krimit të organizuar (65%) dhe ngushtohet edhe më tej për luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë (56.5%)”, thuhet në anketim.
Në anketimin e realizuar, të anketuarit janë pyetur edhe për punën e SPAK-ut ndër vite. Ajo që vihet re nga të dhënat e publikuara është se gjatë viteve 2023-2025, vlerësimet pozitive janë rritur ndjeshëm ndaj punës së SPAK-ut.
Periudhë në të cilën SPAK-u ishte nën drejtimin e Altin Dumanit.
“Opinionet aktuale për punën e SPAK-ut në periudhën 2020–2022 janë të ndara në tri pjesë: 41.5% pozitive, 37.5% negative dhe 21% të pavendosur.
Vlerësimet pozitive rriten ndjeshëm në 79.2% për punën e SPAK-ut në periudhën 2023–2025, ndërsa vlerësimet negative bien në 19.4% dhe të pavendosurit zbresin në vetëm 1%”, thuhet në anketim./kb
