Last Updated on 01/06/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot përpara Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është pyetur nga gazetarët edhe lidhur me projektin e Zvërnecit dhe debatet e fundit rreth tij.
Berisha theksoi se nuk është kundër investimeve të huaja, ndërsa sqaroi se komentet e tij për këtë çështje nuk do t’i jepte në atë moment, duke shtuar se për detaje më të plota mund të flitet në selinë e PD-së.
“Unë këtu përgjigjem vetëm për çështje të lidhura me SPAK. Ky nuk është vendi për këtë temë. Mund të flasim te selia e PD”, u shpreh ai.
Lidhur me incidentin e raportuar në Zvërnec, Berisha e dënoi atë duke e cilësuar si një veprim të papranueshëm ndaj protestuesve dhe si “rrëmbim në duart e policisë”.
“E dënoj, ishte një akt i shëmtuar i Policisë së Shtetit”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se nuk disponon dokumentacion të plotë mbi projektin në fjalë, por ka ndjekur publikimet mediatike që janë bërë për të.
Duke folur më gjerë për politikën e PD-së, ai theksoi se partia që drejton mbështet investimet e huaja, duke kujtuar edhe ndryshimet ligjore të miratuara gjatë qeverisjes së tij, të cilat synonin, sipas tij, të garantonin siguri për investitorët dhe zgjidhje për çështjet e pronësisë.
Sipas Berishës, në rastet kur një projekt i miratuar nga qeveria krijon probleme pronësie, shteti duhet të kompensojë pronarët me vlerën e tregut, një mekanizëm që ai tha se është aplikuar për të shmangur konfliktet me investitorët e huaj.
“PD është partia që proteston më fuqishëm, por njëkohësisht garanton pronën dhe mbështet investimet e huaja. Nuk ka interes më të mbrapshtë se përpjekja për të larguar investitorët e huaj nga vendi”, përfundoi Berisha./a.d
